Parashikim i tmerrshëm për Iranin: Numri i vdekjeve mund të shkojë mbi 3 milionë
Një raport i ri mbi përhapjen e koronavirusit të ri COVID-19, i përgatitur nga shkencëtarët në Universitetin Teknik “Sherif” në Iran, ka theksuar se 3,5 milionë njerëz mund të vdesin nga kjo sëmundje në Iran nëse nuk zbatohet masa e karantinës dhe njerëzit injorojnë udhëzimet e autoriteteve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raporti i përgatitur nga Komiteti Shkencor i kryesuar nga Ali Naki Meshajihi nga Universiteti Teknik “Sherif”, një nga institucionet arsimore më prestigjioze në vend, është publikuar në faqen e lajmeve Tinn.
Raporti përshkruan tri skenarë në lidhje me pasojat e mundshme të koronavirusit në Iran.
“Nëse zbatohet karantina, numri i viktimave mund të jetë 12 mijë”
Skenari i parë dhe më i mirë i rasteve tregon se çfarë do të ndodhë “nëse karantina zbatohet plotësisht dhe njerëzit ndjekin në mënyrë rigoroze udhëzimet për t’u mbrojtur nga virusi”.
Sipas këtij skenari, në të cilin 80 për qind e njerëzve do të izoloheshin nga njëri-tjetri, numri i rasteve vlerësohet të arrijë në 120.000 dhe ai i vdekjeve në rreth 12.000 në ditët e para të muajit prill, kur epidemia do ta arrinte kulmin.
Me karantinë të mangët, numri i vdekjeve 110 mijë
Sipas skenarit të dytë, në të cilin masa e karantinës nuk do të zbatohej plotësisht dhe kontakti mes njerëzve do të ishte 50 për qind, parashikohet që deri në fund të prillit numri i rasteve të jetë 300.000 dhe ai i vdekjeve rreth 110 mijë.
Nëse karantina nuk zbatohet, do të ketë 3,5 milionë të vdekur
Skenari i tretë dhe më i keq është ai që ndodhte nëse karantina nuk do të zbatohej dhe njerëzit injorojnë udhëzimet për mbrojtjen nga virusi.
Në këtë skenar, i cili parashikon një përkeqësim të shëndetit publik, shkalla e përhapjes së virusit pritet të jetë rreth 65 përqind.
Në këtë rast thuhet se kulmi i epidemisë do të vazhdojë deri në ditët e fundit të majit dhe numri i të infektuarve do të jetë rreth katër milion dhe ai i vdekjeve 3,5 milionë.
Në Iran, COVID-19 u shfaq fillimisht në qytetin Kom më 19 shkurt, ndërsa më pas u përhap në gjithë vendin.
Ministria e Shëndetësisë e Iranit ka njoftuar se 988 njerëz kanë deri më tani vdekur nga koronavirusi, ndërsa janë regjistruar 16.169 raste të personave të infektuar.