Pas rrëzimit të Maduros, SHBA plan për bazë të CIA-s në Venezuelë
Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të krijojnë një prani të përhershme të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Venezuelë, pas rrëzimit të ish-presidentit Nicolás Maduro, raporton CNN.
Sipas raportit, Departamenti amerikan i Shtetit do të ketë një prani diplomatike afatgjatë në vend, por administrata Trump pritet të mbështetet fillimisht te CIA për shkak të tranzicionit politik dhe situatës së paqëndrueshme të sigurisë.
CIA po punon në heshtje për të ngritur një bazë ose aneks operativ në Venezuelë, përpara hapjes zyrtare të ambasadës amerikane. Ky objekt do të shërbejë për krijimin e kontakteve me udhëheqjen lokale dhe shërbimet e inteligjencës venezueliane.
Në fazën e parë, zyrtarët amerikanë do të zhvillojnë kontakte joformale me fraksione të ndryshme të qeverisë së re dhe me figura të opozitës, ndërsa do të monitorojnë edhe palë të treta që mund të përbëjnë kërcënim për interesat amerikane.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ishte zyrtari i parë i lartë i administratës Trump që vizitoi Venezuelën pas largimit të Maduron nga pushteti. Ai u takua me presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez dhe drejtuesit ushtarakë të vendit.
Gjatë vizitës, Ratcliffe përcolli mesazhin se “Venezuela nuk mund të jetë më një strehë e sigurt për kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara”, duke iu referuar ndikimit të Kinës, Rusisë dhe Iranit në rajon.
CNN raporton gjithashtu se oficerë të CIA-s kishin qenë në terren në Venezuelë disa muaj para rrëzimit të Maduron, për të monitoruar zhvillimet politike dhe lëvizjet e tij.
KOHA JONË SONDAZH

