Plagosen 31 persona si pasojë e një shpërthimi në qendrën e azilit
Një shpërthim i cili mendohet të jetë shkaktuar nga një rrjedhje gazi ka lënë të plagosur rreth 31 persona në një qëndër azilkërkuesish në Itali.
Ngjarja ka ndodhur në një ndërtesë dykatëshe në San Lorenzo Nuovo, pranë Viterbos të premten pak para mesnate.
Tridhjetë e një persona u plagosën si pasojë e këtij shpërthimi, në një ndërtesë ku strehohen azilkërkuesit në Italinë qendrore, tha brigada e zjarrfikësve të shtunën.
Sipas raportimeve ndërtesa e cila ndodhet në rajonin e Lazios në Italinë Qëndrore u pa thuajse e rrënuar pas shpërtimit të mbrëmjes së djeshme.
Brigada e zjarrfikësve tha në një deklaratë se ka pasur një “shpërthim dhe shembje të pjesshme” të ndërtesës, e përshkruar si një qendër pritjeje për azilkërkuesit, “ndoshta si pasojë e një rrjedhje gazi”.
Pas kërkimeve gjatë natës, duke përfshirë edhe ndihmën e qenve, numri i të plagosurve ka shkuar në 31. Një person në gjendje të rëndë u dërgua me helikopter në një spital të Romës dhe aktualisht ndodhet në koma, sipas agjencisë së shtypit Ansa. Ansa tha gjithashtu se ndërtesa përbëhej nga mini-apartamente që strehonin azilkërkues, kryesisht burra, por edhe gra pa fëmijë. Një hetim për shkakun e shpërthimit është duke u zhvilluar.
KOHA JONË SONDAZH

