Presidencialet, Klinton siguron paraprakisht nominimin
Kandidatja demokrate, Hilary Clinton ka siguruar paraprakisht nominimin për të qenë përfaqësuesja e kësaj force politike në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Në bazë të një përllogaritjeje të bërë nga “AssociatedPress”, ish-sekretarja e Shtetit ka arritur që të plotësojë 2.383 delegatët e nevojshëm, të cilët i japin mundësi për të fituar përballjen në rang partiak.
Megjithatë, për të zyrtarizuar nominimin, Clinton duhet që të presë konventën partiake të demokratëve që do të mbahet në muajin korrik. Ish-sekretarja e Shtetit gëzon një avantazh të theksuar ndaj Bernie Sanders për shkak të të ashtuquajturve, super delegatët.
Këta të fundit, janë anëtarë të Partisë Demokratike, të cilët kanë lirinë për të mbështetur cilindo kandidat. Ndonëse ata e kanë shprehur qartë qëndrimin e tyre, super delegatët nuk kanë mundësi që të votojnë përpara konventës së demokratëve.
Aktualisht Clinton numëron në total 2.383 delegatë, mes të cilëve 1.812 të sigurt, pra të fituar nga zgjedhjet partiake dhe 571 super delegatë. Nga ana tjetër, Sanders ka arritur që të sigurojë 1,569 delegatë, nga të cilët vetëm 48 janë super delegatë. Senatori i Vermontit ka shumë pak shpresa për të fituar, por ka bërë thirrje që mbështetësit e tij të mos dorëzohen deri në fund të garës.
Në rast se Klinton do të sigurojë zyrtarisht nominimin, atëherë ajo do të bëhet gruaja e parë pretendente për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë pas 227 vitesh. Shpresa e fundit për Bernie Sanders do të jenë pikërisht zgjedhjet e ditës së sotme që do të mbahen në Kaliforni. Ky shtet ka në total 546 delegatë.
KOHA JONË SONDAZH

