Presidenti Donald Trump: “Asnjë vend nuk është i imunizuar nga dhuna politike”
Presidenti amerikan, Donald Trump tha se ishte i shqetësuar për “çdo lloj dhune”, dhe jo vetëm për sulmet me motive politike, raportoi BBC.
Ai krahasoi rrezikun e profesionit të presidentit me profesione të tjera si pilotët e garave me makina duke vënë në dukje se rreth 5,8% e presidentëve amerikanë kanë qenë objekt i sulmeve me armë.
“Nuk mund të imagjinoj shumë profesione që janë më të rrezikshme”, tha ai, duke shtuar se të jesh komandant i përgjithshëm do të thotë “të marrësh rreziqe”.
Duke iu referuar sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, Trump tha: “Nëse Marco do të më kishte thënë atëherë, ndoshta nuk do të kisha kandiduar për president”.
Rubio ishte kandidat në garat paraprake republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por u tërhoq pasi Trump siguroi nominimin e partisë.
“Asnjë vend nuk është i imunizuar nga dhuna politike”, tha presidenti Trump.
Gjatë një tjetër deklarate për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump u pyet për mesazhin e tij lidhur me incidentin me armë zjarri në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, në hotelin “Washington Hilton”.
“Edhe nëse ke sigurinë më të mirë në botë, nëse ndodhet një person me çrregullime mendore, ai mund të shkaktojë probleme”, u përgjigj Trump.
I pyetur nëse është e mundur të “ulet tensioni” pas ngjarjes, Trump tha se kjo do të varej nga vendimet politike dhe mënyra e qeverisjes.
“Është kostoja e të bërit politikë në Amerikë”, shtoi ai, duke theksuar se dhuna politike ekziston në të gjithë botën.
Trump e përshkroi detyrën e presidentit si një rol me rrezik të vazhdueshëm, ndërsa incidenti i fundit ndodhi në të njëjtin hotel ku presidenti Ronald Reagan u plagos në vitin 1981. ATSH
KOHA JONË SONDAZH

