Presidenti gjerman bën thirrje për solidaritet me Ukrainën gjatë festave

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, u ka bërë thirrje qytetarëve gjermanë dhe mbarë evropianëve që të tregojnë solidaritet me popullin e Ukrainës, i cili vazhdon të përballet me sulmet e Rusisë, në mesazhin e tij zyrtar të Krishtlindjes të publikuar sot.

Në fjalimin e tij, Steinmeier theksoi rëndësinë e lidhjeve njerëzore në këtë periudhë festive, duke nënvizuar se Krishtlindjet janë një moment për të forcuar marrëdhëniet familjare, miqësitë dhe ndjenjën e përkatësisë shoqërore. Sipas tij, kjo ndjenjë nuk duhet të kufizohet vetëm brenda kufijve kombëtarë, por duhet të shtrihet edhe drejt atyre që vuajnë përtej tyre.

“Mbështetja dhe solidariteti ynë nuk kufizohen vetëm tek ata që janë gjeografikisht pranë nesh. Ne mendojmë, për shembull, për popullin e Ukrainës, kundër të cilit Rusia po zhvillon luftë prej gati katër vitesh”, u shpreh presidenti gjerman.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai vuri në dukje se qytetarët evropianë po ndjekin me vëmendje dhe emocione të përziera përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, të cilat po zhvillohen me intensitet të shtuar. Sipas Steinmeier, këto përpjekje shihen me shpresë, por edhe me skepticizëm dhe shqetësim, për shkak të pasigurive që mbizotërojnë mbi të ardhmen e paqes në rajon.

Swiss Digital Mobile Reklama

Presidenti gjerman u bëri thirrje evropianëve që të bëhen sërish të vetëdijshëm për vlerat e përbashkëta dhe për forcën që buron nga uniteti. Ai theksoi se liria, dinjiteti njerëzor, paqja e drejtë dhe vetëvendosja demokratike janë mësime të nxjerra gjatë shekujve dhe mbeten themeli i shoqërive moderne.

“Në këtë kohë sfidash, na duhet guxim për vendimet e mëdha që marrim si shoqëri dhe për veprimet e vogla të përditshme, ku secili prej nesh jep kontributin e vet, në mënyrë që të jetojmë së bashku në paqe”, përfundoi Steinmeier.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?