Qyteti amerikan paguan 12 milionë dollarë për vrasjen e gabuar (Historia)

Qyteti amerikan i Luivillit, Kentaki, ka pranuar t’i paguajë 12 milionë dollarë familjes së Breonna Taylor, një punonjëse mjekësore afrikano-amerikane, e cila u qëllua për vdekje në banesën e saj në mars gjatë një operacioni policor të arrestimit “pa trokitje në derë” të lidhur me një bastisje për trafiku droge që nuk u ekzekutua sipas rregullave.

Pagesa për padinë civile kundër këtij qyteti erdhi ndërsa hetuesit federalë dhe ata të shtetit të Kentakit vazhdojnë të hetojnë rrethanat rreth vdekjes së 26-vjeçares Taylor dhe nëse ndaj tre policëve të përfshirë në incident duhet të ngrihen akuza penale. Njëri nga tre oficerët që qëlluan në drejtim të afrikano-amerikanes Taylor tashmë është shkarkuar nga departamenti i policisë së qytetit, megjithëse ai e ka apeluar shkarkimin.

Rasti i afrikano-amerikanes Taylor ka tërhequr vëmendjen kombëtare në Shtetet e Bashkuara, pjesë e ballafaqimit të vendit me marrëdhëniet e tensionuara racore dhe trajtimin e pakicave nga policia. Protestat, disa prej tyre të dhunshme, shpërthyen në të gjithë vendin pas vdekjes nën arrest të afrikano-amerikanit George Floyd në fund të majit në Mineapolis të Minesotës.

Vdekja e afrikano-amerikanes Taylor u bë shpejt pjesë e debatit kombëtar, emri i saj shpesh është i shkruar në maskat që njerëzit mbajnë për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

Si pjesë e marrëveshjes, zyrtarët e qytetit të Luivillit ranë dakord për reforma të ndryshme policore në përpjekje për të parandaluar një përsëritje të rrethanave që çuan në vdekjen e afrikano-amerikanes

Taylor, duke përfshirë një rishikim më të hollësishëm nga komandantët e nivelit të lartë të bastisjeve para kryerjes së tyre.

Qyteti tashmë ka miratuar një ligj me emrin e zonjës Taylor që ndalon përdorimin e fletëarresteve pa trokitje, të cilat policia shpesh i përdor në rastet e drogës nga frika se provat mund të shkatërrohen nëse ata njoftojnë mbërritjen e tyre.

Kryebashkiaku i Luivillit Greg Fischer shkarkoi ish-shefin e policisë Steve Conrad në qershor dhe javën e kaluar emroi Yvette Gentry-in, një ish-zëvendës shefe e policisë, si shefe të përkohshme të policisë. Gentry është gruaja e parë afrikano-amerikane që udhëheq forcën me rreth 1,200 policë.

Lonita Baker, një avokate e familjes Taylor, tha se ata do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe federalë për të hetuar çështjen dhe për të paraqitur prova para një jurie të madhe me shpresën se ndaj policëve të përfshirë do të ngrihen akuza kriminale.

Padia gjyqësore kundër qytetit u ngrit nga nëna e zonjës Taylor, Tamika Palmer, e cila akuzoi policinë se përdori informacione të gabuara kur mori një fletëarrest për të hyrë pa trokitur në apartamentin e zonjës Taylor.

Breonna Taylor dhe i dashuri i saj, Kenneth Walker, u zgjuan nga policia, të cilët thanë se njoftuan praninë e tyre jashtë apartamentit përpara se të futeshin në banesën e tyre. Walker thotë se ai nuk e kishte dëgjuar policinë.

Walker, i cili ka liçencë për armëmbajtje, ka thënë se ai qëlloi një herë në drejtim të oficerëve të policisë duke menduar se ata ishin hajdutë. Hetuesit thonë se policia u kundërpërgjigj duke e qëlluar zonjën Taylor disa herë. Policia nuk gjeti drogë në banesën e saj.

Fletëarresti që çoi në vdekjen e afrikano-amerikanes Taylor ishte një nga pesë fletëarrestet e lëshuara në kuadër të një hetimit të trafikut të drogës ndaj një ish të dashuri të zonjës Taylor, Jamarcus Glover, i cili u arrestua në një vend tjetër rreth 16 kilometra larg banesës së zonjës Taylor në të njëjtën mbrëmje./VOA

SHKARKO APP