Rënia e Khersonit, pse marrja e qytetit jugor është një fitore e madhe për forcat ruse
Ministria e Mbrojtjes ruse deklaroi këtë të mërkurë marrjen e qytetit jugor të Khersonit në Ukrainë.
Nëse konfirmohet një gjë e tillë, atëherë kapja e këtij qyteti të vogël në afërsi të Krimesë, me pothuajse 300,000 banorë do të ishte një fitore e madhe për ushtrinë ruse.
Do të ishte qyteti më i madh që do të binte në duart e Rusisë dhe strategjikisht do të ishte një bazë jetike për forcat pushtuese, pasi do të jepte një shtysë për depërtimin në perëndim, drejt portit të madh të Odesës.
Kherson është në vetvete një port i rëndësishëm i Detit të Zi dhe një qendër e rëndësishme industriale për Ukrainën.
Të kontrollosh Kherson do të thotë të kontrollosh gjithashtu një burim të madh ujor. Ukraina e mbylli kanalin e Krimesë së Veriut pasi Rusia pushtoi gadishullin, kështu që shumica e furnizimit me ujë të freskët në Krime u ndërpre, duke shkaktuar mungesë uji në rajonin e aneksuar.
Një nga objektivat e para të pushtimit ushtarak të Rusisë ishte zhbllokimi i asaj rruge ujore dhe rivendosja e furnizimit me ujë në Krime.
Automjetet ruse hynë në qendër të qytetit Kherson gjatë natës së djeshme. Kryebashkiaku Igor Kolyikhayev tha këtë mëngjes se qyteti kishte nevojë për një mrekulli.