Rikthehet frika e Covid-it në Kinë, futet në karantinë Kryeqendra e Hubeit!

Qyteti i Shijiazhuang-ut, kryeqendra me 11 milionë banorë e provincës së Hubeit që rrethon Pekinin, ka hyrë në karantinë pasi këto dy ditët e fundit, numri i rasteve me Covid atje, të sëmurë e asimptomatikë, ka mbërritur në gati 200.

Kjo është vatra më e madhe e sëmundjes që verifikohet në vend pas muaj të tërë qetësie. Lëvizjet hekurudhore me Shijiazhuang janë bllokuar menjëherë, së bashku me rrugët që lidhin këtë provincë me kryeqytetin e vendit.

Autoritetet vendase janë të shqetësuara prej lëvizjeve të pritshme të vitit të ri kinez, që kremtohet në 12 shkurt dhe zakonisht shtyn miliona punëtore të industrive të mëdha të kthehen për ti kaluar festat me familjet. Këtë vit, punonjësve publikë në Pekin u është kërkuar të mos lëvizin dhe popullata e Wuhanit është këshilluar të ruajë ushqime, sepse nëse situata merr një kthese të beftë, duket nuk përjashtohet mundësia e ndonjë karantine tjetër.

Presidenti Xi Jingping shpalli në 31 dhjetor fitoren mbi epideminë, ndërsa mediat shtetërore vazhdimisht nxjerrin në pah katastrofën sanitare në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Pekini sakaq vazhdon të mbajë pezull ekipin e 10 ekspertëve ndërkombëtarë të OBSH-së, të cilët duhet të hetojnë origjinën e virusit, por që në minutën e fundit, iu refuzua leja hyrëse.

SHKARKO APP