Samiti G-7, Merkel: Po skadon koha, për një marrëveshje me Greqinë
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar se koha po mbaron për një marrëveshje për të mbajtur Greqinë në eurozonë.
Duke folur pas takimit G7 në Gjermani, ajo tha se Evropa do të tregojë solidaritet, por vetëm nëse Greqia “bën propozime dhe implementon reforma”.
Më parë, ministri grek i financave Yanis Varoufakis tha se ishte koha për të ndaluar gishtin-tregues dhe për të gjetur një marrëveshje.
Tema të tjera në rendin e ditës në takimin e G7 kanë qenë ndryshimi i klimës, luftimi i ekstremizmit dhe luftës në Ukrainë.
Samiti u mbajt në hotelin piktoresk Schloss Elmau në Alpet bavareze dhe u ndoq nga udhëheqësit e SHBA, Britania e Madhe, Japonia, Franca, Kanadaja dhe Italia.
Merkel, e cila organizoi këtë ngjarje, tha se kriza greke ka qenë një pjesë qendrore e diskutimeve.
Ajo përsëriti dëshirën e saj që Greqia të mbetet pjesë e eurozonës, por tha: “Nuk ka mbetur shumë kohë. Gjithkush po punon intensivisht. Çdo ditë ka rëndësi tani.”
Komisioni Evropian është duke kërkuar për reforma të mëtejshme në ekonominë greke, duke përfshirë rritjen e taksave dhe shkurtime në pagat dhe pensionet e nëpunësve civilë.
Por Greqia ka refuzuar këto propozime pa ndonjë formë të marrëveshjes së ristrukturimit të borxhit në kthim.
Por duke folur për një vizitë në kryeqytetin gjerman të Berlinit, këtë të hënë, Varoufakis u tha gazetarëve: “Është koha për të ndaluar duke treguar gishtat në njëri-tjetrin dhe se është koha që ne të bëjmë punën tonë … për të arritur në një marrëveshje.” Merkel pritet të takohet këtë të mërkurë edhe me kryeministrin grek Aleksis Tsipras, në Bruksel.
Përgatiti: Matea Came/ Koha Jonë