SHBA, Hakerat nga Kina kanë hyrë sërish në të dhënat e funksionarëve të qeverisë
Hakera që dyshohen për lidhje me Kinën kanë siguruar akses në të dhëna të rëndësishme mbi personelin ushtarak dhe atë të shërbimeve sekrete të Shteteve të Bashkuara.
Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë. Detaje të një depërtimi të tillë dolën në publik javën e kaluar, por tani zyrtarët flasin për një depërtim të dytë.
Druhet se sulmi mund ta kthejë personelin amerikan të sigurisë ose familjet e tyre në objekt shantazhi. Agjencia e përfshirë në këtë sulm kibernetik, Zyra për Menaxhimin e Personelit, nuk ka bërë ende një koment mbi të dhënat e fundit.
Zyrtarë amerikanë, që kanë folur në kushte anonimati për “Associated Press”, besojnë se agresorët kanë vënë në shënjestër formularët e plotësuar nga personeli i shërbimeve të inteligjencës dhe ai ushtarak për sigurimet shoqërore.
Dokumenti përfshin informacione personale, përfshirë ngjyrën e syve, historinë financiare, abuzimin me substanca të ndaluara në të kaluarën, si dhe kontaktet e individëve me miq dhe të afërm.
Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se, hetuesit kanë të dhëna të sigurta se informacioni bazë mbi punonjësit e qeverisë është bërë prej e një sulmi të tillë. Joel Brener, një ish-oficer i kundërspiunazhit amerikan, i cilësoi të dhënat si një “minierë ari” për hakerat.
Gjithashtu, besohet se depërtimi në të dhënat personale të funksionarëve të qeverisë amerikane javën e kaluar mund të jetë më i madh nga sa mendohet.
Vlerësimet fillestare flisnin për 4 milionë persona të prekur nga sulmi, por zyrtarë të afërt me hetimet thanë për “AP” se në sulmi mund të ketë përfshirë 14 milionë.