SHBA-Kinë, bashkë për klimën, ndotësit më të mëdhenj të atmosferës në botë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina janë zotuar të luftojnë kundër ndryshimeve klimatike në linjë me Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Dy vendet thonë se përveçse do reduktojnë ndotjen nga ana e tyre, do angazhohen për ta adresuar situatën klimatike me vendet e tjera.

Amerika dhe Kina, dy ndotësit më të mëdhenj të ajrit në botë, ranë dakord të bashkëpunojnë me vendet e tjera kundër ndryshimeve klimatike.

Në përfundim të bisedimeve me të dërguarin kinez në Shangai, homologu amerikan, Xho Kerri, tha se kjo është hera e parë që Pekini e pranon se klima globale është në krizë.

“Do të punojmë bashkë për ta adresuar atë. Kemi mosmarrëveshje të mëdha për disa çështje kyç, por klima duhet të qëndrojë më vete.”

Kina dhe Rusia lëshojnë në atmosferë rreth gjysmën e gazrave të karbonit të gjithë botës.

Në një deklaratë të përbashkët, dy vendet thanë se do të ndërmarrin veprime konkrete për të ulur ndotjen sipas Marrëveshjes së Parisit.

SHBA-ja u tërhoq nga pakti në vitin 2019 nga ish-presidenti Donald Tramp, por u rikthye në janar me ardhjen në pushtet të demokratëve.

Kryeministri kanadez, Xhastin Trudo, thotë se botës i duhet një aktor me peshë si Amerika.

“Zotimi që SHBA-ja ka treguar pas largimit për disa vite nga tryezat e klimës është diçka që njerëzit do e shohin me seriozitet. Nuk ka dyshim se na duhet një vend i përmasave të saj që të jetë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit, nëse duam që këtë ta kapërcejmë të gjithë si planet.”

Të enjten dhe të premten, presidenti amerikan, Xho Bajden, ka ftuar të enjten 40 udhëheqës botërorë, përfshirë homologun kinez, Shi Xhinping, që të diskutojnë mbi krizën klimatike.

SHKARKO APP