SHBA, Obama mbështet zyrtarisht Hillarin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama është zyrtarisht mbështetës i kandidates, Hilari Klinton. Lajmin e publikoi vetë Presidenti, pas takimit që pati më rivalin e ish-Sekretares së Shtetit, Bernie Sanders. Klinton ka vlerësuar vendimin e Presidentit, teksa kandidati republikan Donald Trump e sheh si përpjekje të Obamës për të mbajtur pushtetin e e tij edhe për katër vite të tjera.
Presidenti, Barak Obama, ka dalë zyrtarisht në mbështetje të kandidates demokrate për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjës Hilari Klinton.
Vendimi erdhi pas takimit me senatorin e Vermondit, Bernie Sanders, i vetmi rival i Klinton në garën e primareve dhe që deri në këte moment është zotuar se do ti shkojë deri në fund garës.
Në një video të publikur në twitter, Obama u shpreh:
“Unë nuk mendoj se ka qenë ndonjëherë dikush kaq i kualifikuar për të mbajtur këtë detyrë. Unë mbështes Klinton, jam shumë i entuziazmuar dhe mezi po pres të nis fushatën bashkë me Hilarin”, tha Presidenti duke shtuar se Klinton dhe Sanders mund të ketë qenë rivalë gjatë primareve, por ata janë patriotë që e duan këtë vend dhe ndajnë të njëjtin vizion për Amerikën.
Pas fjalës së Obamës, zonja Klinton tha se mbështetja e tij do të thotë shumë ose gjithçka për të:
“Është absolutisht një kënaqësi dhe një nder i veçantë që Presidenti Obama dhe unë përgjatë viteve, pavarësisht se kemi qenë rivalë, jemi kthyer në miq shumë të mirë”, tha ajo.
Obama dhe Klinton kanë qenë rivalë gjatë primareve të demokratëve në vitin 2008, garë e fituar nga Obama.
Klinton vazhdoi të shërbente si Sekretare Shteti gjatë mandatit të parë të Obamës në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Nuk kishte si të mungonte reagimi i kandidatit republikan Donald Trump, i cili shkroi në twitter se mbështetja e Obamës do të thotë sesi do edhe katër vjet të tjera të qeverisë Obama.
KOHA JONË SONDAZH

