”Siguri e gjithëpërfshirje”, talebanët tregojnë planin sesi do të qeverisin Afganistanin: Vajzat dhe gratë…

Talebanët janë në pushtet dhe Afganistani do të kthehet shpejt në Emiratet Islamike. Bota është e tronditur nga kjo ngjarje, por viktimat janë miliona afganë që tashmë kanë një ëndërr, të kenë të siguruar mbijetesën.

Çfarë po të ndodh tani, ku qytetarë po lënë shtëpitë e tyre dhe po arratisen drejt Europës? Nëse regjimi telaben do t’i ngjasojë atij të viteve ‘90, vendin e pret një përkeqësim dramatik i lirive civile, veçanërisht për gratë dhe vajzat.

Në një intervistë për ”CNN”, një përfaqësues i lartë i talebanëve premton një qeverisje ndryshe. Sohail Shaheen, zëdhënës i Talebanëve tha se ”Prioritetet tona janë ruajtja e sigurisë dhe në ditët në vijim do të krijojmë një qeveri të re; një qeveri gjithëpërfshirëse Islamike”.

Nic Robertson, CNN: Njerëz jashtë radhëve të talebanëve do të jenë pjesë e qeverisë?

Shaheen: Po, do të jenë. Kur themi qeveri gjithëpërfshirëse, nënkuptojmë se edhe të tjerë do të kenë mundësi të bëhen pjesë e qeverisë.

Robertson: A do t’i kërkoni ushtrisë aktuale afgane të bashkojë forcat me ju për të garantuar sigurinë?

Shaheen: Ata që do të dorëzojnë armët dhe do t’i bashkohen forcave tona, do të sigurojnë amnistinë; jetët dhe pronat e tyre do të jenë të sigurta. Emrat e tyre do të shënohen në regjistrat tanë; do të jenë një lloj force rezervë, kështu kur të vijë koha, do t’i thërrasim.

Robertson: Shumë njerëz, ashtu si dhe unë, pyesin mbi arsimimin e vajzave. Kjo ishte një çështje shumë e rëndësishme për SHBA dhe një prej gjërave që kërkon të lerë trashëgimi në vend. Çfarë do të bëni me arsimimin e vajzave? A do të jenë në gjendje ato të studiojnë nga mosha 12 deri në 18 vjeç, a do të munden të shkojnë në universitet?

Shaheen: Po, sa i përket kësaj, politika jonë është e qartë. Vajzat mund të vijojnë arsimimin nga shkolla fillore në të lartë.

Robertson: Si mendoni, pse ofensiva e forcave tuaja rezultoi e suksesshme? Të gjithë u befasuan…

Shaheen: Pasi ne kishim rrënjë mes popullit. Pasi ishte një revoltë popullore dhe ne e dinim këtë.

Robertson: Po për diplomatët, shtetasit e huaj dhe gazetarët në Afganistan, çfarë politike do të ndiqni?

Shaheen: Ata mund të vijojnë punën e tyre. Ambasadat duhet të funksionojnë. Ne jemi të përkushtuar të garantojmë një ambient të sigurt për ta. Jo vetëm për diplomatët dhe ambasadat, por edhe OJQ-të e huaja.

Robertson: A po komunikoni me amerikanët për largimin diplomatik në aeroport?

Shaheen: Ne u thamë amerikanëve se nuk duhet të evakuojnë ambasadën, pasi ne nuk do të shënjestronim atë. Do të garantonim një ambjent të sigurt për funksionimin e saj.

Robertson: Atëherë, kur i thoni amerikanëve se duhet të qëndrojnë në ambasadë dhe ata largohen, si e interpretoni. E shihni si mungesë besimi?

Shaheen: Ata duhet të na besojnë dhe arsyeja për të cilën Shtetet e Bashkuara duhet të besojnë talebanët është se ata u dhanë fjalën se nuk do të sulmonin kur forcat amerikane po tërhiqeshin, dhe e mbajtën premtimin.

SHKARKO APP