Sulm gjatë një ceremonie, 27 të vdekur
Disa persona të armatosur kanë hapur zjarr duke vrarë 27 persona e duke plagosur 29 të tjerë në Kabul, Afganistan. Ngjarja ndodhi gjatë një ceremonie përkujtimore që po zhvillohej te memoriali i udhëheqësit shiit, sipas zyrtarëve afganë.
Vahidullah Mayar, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, tha se të plagosurit janë dërguar nëpër spitale dhe se autoritetet kanë siguruar zonën. Nusrat Rahimi, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, tha se forcat shtetërore janë ende duke luftuar me agresorët në një zonë pranë Kabulit.
Të pranishëm në ceremoni kanë qenë shumë zyrtarë të lartë të vendit, të cilët kanë arritur të shpëtojnë pa u lënduar. Mes tyre ka qenë edhe Abdullah Adullah, një kandidat i rëndësishëm në zgjedhjet e vitit të shkuar.
Talebanët, të cilët firmosën një marrëveshje paqeje me SHBA-të, gjë që do të çonte në tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni, kanë mohuar përfshirjen në këtë sulm. Shteti Islamik i ka sulmuar shiitët afganë edhe më parë, në të shkuarën, pasi e sheh këtë pakicë fetare si heretike.