Sulm me bombë në një makinë në Kabul, të paktën tetë të vrarë

Ministria e Brendshme e Afganistanit thotë se një makinë-bombë ka vrarë paktën tetë persona dhe ka plagosur dhjetëra të tjerë në Kabul. Shpërthimi që ndodhi më 20 dhjetor kishte për cak një konvoj ku udhëtonte Khan Mohammad Ëardak, pjesëtar i parlamentit, i cili u plagos në këtë sulm.

“Terroristët kanë kryer një sulm terrorist në qytetin e Kabulit. Fatkeqësisht, tetë qytetarë tanë janë vrarë dhe mbi 15 të tjerë janë plagosur”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Tariq Arian. Asnjë grup deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin edhe pse zyrtarët kanë fajësuar talibanët. Në muajt e fundit, dhuna në Afganistan është rritur edhe pse talibanët dhe negociatorët e Qeverisë afgane po tentojnë që të arrijnë një marrëveshje të paqes, e cila ka për qëllim t’i japë fund luftës.

Vazhdimisht ka pasur përleshje të armatosura në pjesë të ndryshme të vendit si dhe sulme me bomba dhe raketa në Kabul. Më 15 dhjetor, një bombë shpërtheu dhe pati sulm me armë zjarri në Kabul, ku u vranë tre persona, përfshirë edhe një zëvendësguvernator provincial.

SHKARKO APP