Takimi historik Trump-Kim shpresë për paqe
Takimi historik mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit korean-verior, Kim Jong Un u zhvillua në orën lokale 09:00 me një skenë pothuajse hollivudiane.
Presidenti i SHBA dhe Kim u takuan në hotelin ”Capella”, në ishullin Sentosa duke ardhur nga dy korridorë të ndryshëm të hotelit.
”Kemi bërë një takim historik, kemi vendosur të lëmë të shkuarën pas krahëve, kemi firmosur një dokument historik, bota do të shohë një ndryshime të rëndësishëm”, u shpreh Kim Jong Un.
Më pas, të dy presidentët kanë firmosur një dokument të përbashkët, pas bisedimeve.
”Dua të shpreh falenderimin tim për presidentin Trump që bëri të mundur këtë takim”, u shpreh Kim Jong Un.
Ndërsa Trump, pas firmosjes së marrëveshjes së përbashkët me Kim, theksoi se ”procesi i denuklearizimit të Koresë së Veriut do të fillojë shumë shpejt”.
Takimi
Me tapetin e kuq të sistemuar më së miri, liderët e dy vendeve i shtrënguan duart njëri-tjetrit duke pasur si sfond flamujt e dy vendeve përkatëse. Kjo gjë zgjati mbi 10 sekonda dhe presidenti Trump mbështeti dorën e majtë në krahun e djathtë të Kim në shenjë besueshmërie.
‘’Nice to meet you Mr President!’’
”Kënaqësi që ju takoj, zoti president!”, iu drejtua Kim në anglisht presidentit Trump.
Më pas të dy liderët u vendosën përballë fotografëve dhe telekamerave për të pozuar mbi takimin historik.
”Është një nder për mua dhe për vendin tim të jem këtu”, u shpreh Trump përpara fillimit të bisedimeve kokë më kokë, për 45 minuta, të asistuar vetëm nga dy përkthyesit, duke theksuar se ishte një ”takim i shkëlqyer”.
”U ndjeva shumë mirë dhe nuk ishte e lehtë të arrinim deri këtu, kishte pengesa, por, për të qënë këtu, do të thotë se i kemi tejkaluar”, theksoi Kim.
Në fund të bisedimeve, ndërsa spostoheshin në një tjetër sallon për takimin më të hapur institucional, presidenti Trump pati rastin të bënte edhe batuta duke thënë se ”shkoi shumë shumë mirë, patëm një marëdhënie të shkëlqyer”.
Në takimin për çështjen bërthamore morën pjesë edhe sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, shefi i kabinetit John Kelly dhe këshilltari i Çëshjeve të Sigurisë, John Bolton, ndërsa për palën koreano-veriore krahu i djathtë Kim Yong-chol, ministri i Jashtëm Ri-Yong-ho dhe Ri SU-yoong, president i Komisionit Diplomatik te Asamblesë së Popullit.
‘’Me Kim Yong-un do të zgjidhim një problem të madh, një dilemë të madhe, të cilën duke punuar së bashku do t’ia dalim’’, theksoi Trump.
Mes buzëqeshjesh, shtrëngime duarsh në një atmosferë të këndshme, takimi vazhdoi më pas me drekën e punes për të vazhduar takimet me një menu me bazë shijesh aziatike dhe perëndimore.
Si antipastë konsumuan një kokteil prej karkalecash, sallatë me avokado, kerabu me mango jeshile e përzier me mjaltë si dhe oktapode të freskët dhe tranguj turshi.
Më pas, të dy liderët përshkruan një copë rruge më këmbe duke biseduar.
”Kemi bërë shumë progres, takimi shkoi më mirë sesa e kishim parashikuar”, deklaroi Trump , i cili më pas i tregoi liderit koreanoverior makinën e tij ”the beast’’ (”bisha”).
”Do të ketë sfida për t’u përballur, do të punojmë me Trumpin dhe do të kapërcejmë çdo lloj skepticizmi dhe spekullimi mbi këtë samit dhe kjo besoj do të jetë një gjë e mirë për paqen’’, theksoi Kim.
”Do t’i zgjidhim dhe mezi pres të bashkëpunojmë”, u përgjigj Trump./ATSH-ANSA