Trump nga Twitter-i: Kina le ta mbajë dronin që na vodhi
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka thënë se, Uashingtoni duhet ta lërë Kinën ta mbajë dronin nënujor të marinës amerikane, pajisjen që Pekini e konfiskoi në Detin e Kinës Jugore.
“Ne duhet t’i themi Kinës që nuk e duam dronin të cilin na vodhën – le ta mbajnë!”,- ka shkruar Trump në profilin e tij në “Twitter”, më 17 dhjetor.
Postimi është bërë disa orë pasi Ministria e Mbrojtjes së Kinës dhe Pentagoni e kanë konfirmuar se ata kanë arritur pajtim për kthimin e dronit, të cilin Pekini e konfiskoi më 16 dhjetor, me qëllim parandalimit të rrezikut që pajisja mund të paraqesë për navigimin e sigurt të anijeve dhe personelit të tyre.
Trump ka fajësuar Kinën për incidentin, duke e akuzuar Pekinin për “vjedhjen e dronin” në ujërat ndërkombëtare, shkruan “USA news”.
Gjatë këtij muaji, Trump ka ‘zemëruar’ Kinën me bisedën telefonike me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen.
Ai gjithashtu ka thënë se, nuk ndjehet i detyruar “ti përmbahet politikës së Kinës” rreth statusit të Tajvanit nëse Shtetet e Bashkuara nuk përfitojnë në aspektin e tregtisë apo ndonjë përfitim tjetër nga Pekini.
KOHA JONË SONDAZH

