Trump sulmon hapur FED: Obama kishte norma të interesit pranë zeros
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar hapur kryetarin e Rezervës Federale, Jerome Powell, se po vë nën rrezik ekonominë amerikane duke rritur normat e interesit. Trump u shpreh se është i pakënaqur me Bankën Qendrore dhe shtoi se në administratën e Barack Obama, norma bazë e interesit qëndronte pranë zeros.
Presidenti pranoi se Rezerva Federale është e pavarur ndaj influencës politike, megjithatë, nuk u përmbajt ndaj sulmeve të tij dhe vazhdon ta shohë performancën aktuale të ekonomisë si një konkurrencë me periudhën e Barack Obama.
Detyra e Rezervës Federale është të vendosë normat e interesit për të arritur 2 objektivat kryesorë, që janë punësimi dhe inflacioni. Banka ka pasur historikisht pavarësi nga influenca politike, në mënyrë që të arrijë mandatin e dyfishtë të punësimit dhe inflacionit, pa pasur barriera.
Institucioni ka rritur 3 herë normën e interesit deri më tani për vitin dhe pritet nga tregjet që të ndërhyjë përsëri në muajin Dhjetor. “Si mund të konkurrosh me këtë? Kujtoni që në periudhën e Barack Obama, normat e interesit ishin zero”, tha Donald Trump. Obama e mori detyrën direkt pas krizës financiare, ku Banka uli normat e interesit në nivel rekord të ulët dhe ndërmori masa të tjera që të nxirrte ekonominë nga recesioni. Ndërsa pyetej nëse është penduar që zgjodhi Jerome Powell në krye të Bankës Qendrore, Trump u shpreh se është shumë herët për të thënë.
KOHA JONË SONDAZH

