Tunizi, pas sulmit terrorist do të mbyllen xhamitë
Autoritetet në Tunizi do të mbyllë rreth 60 xhami në të cilat dyshohet se nxitet dhuna, ka deklaruar kryeministri i këtij vendi, Habib Essid, pas sulmit terrorist në plazh ku mbetën të vrarë 39 persona. Xhamitë, që veprojnë jashtë kontrollit të shtetit, po përhapen me shpejtësi, por do të mbyllen brenda një jave, deklaroi kryeministri në një konferencë për shtyp.
“Disa xhami vazhdojnë të përhapin propagandën dhe helmin e tyre për të promovuar terrorizmin. Ne do të reagojmë ndaj atyre grupeve që veprojnë jashtë kornizave kushtetuese”, tha Essid.
Duke folur për sulmin e së premtes, shefi i qeverisë tuniziane saktësoi vetëm se shumica e viktimave ishin shtetas britanikë, por nuk dha detaje të tjera.
Në sulmin e një dite më parë, një person i armatosur hapi zjarr ndaj turistëve në qytetin turistik Souse, duke vrarë 39 persona.
Përveç shtetasve britanikë mes viktimave ka edhe vendas, gjermanë, belgë, francezë dhe të paktën një irlandez.
Atentatori u qëllua për vdekje nga policia. Autoritetet deklaruan se ai ishte një student i panjohur më parë për policinë. Më vonë Shteti Islamik mori përsipër autorësinë.
Ky ishte sulmi i dytë i madh ndaj turistëve në Tunizi që prej muajit mars, kur militantët vranë 22 persona në muzeun e kryeqytetit Tuniz.