Ukraina, Perëndimi i gatshëm për sanksione të reja ndaj Rusisë

Pavarësisht sanksioneve të ashpra të vendosura ndaj Rusisë deri tani duket se situata në Ukrainë nuk po gjen zgjidhje dhe herë pas herë kanë ndodhur beteja të ashpra mes palëve.

Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja janë duke finalizuar vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë nëse kjo e fundit do të kryejë veprime të mëtejshme ushtarake në lidhje me situatën në Lindje të Ukrainës. Lajmi është bërë i ditur nga CNN, i cili citon zyrtarë të lartë të administratës amerikane, si dhe diplomatë europianë.  

Zyrtarët, në kushte anonimati, kanë thënë se luftimet e ditëve të fundit kanë shtuar nevojën për zgjerimin e sanksioneve.

CNN shkruan se masat e reja të mundshme do të preknin të tjerë zyrtarë dhe kompani ruse, ndërsa do të kishin ndikim në sektorin financiar, të energjisë dhe të mbrojtjes së Rusisë.

Në fillim të kësaj javë, presidenti amerikan tha se forcat ruse vazhdojnë të operojnë në Ukrainën lindore, pavarësisht mohimeve të vazhdueshme të Moskës, ndaj dhe demokracitë e mëdha dhe industriale të botës janë të gatshme të vendosin sanksione shumë herë më të ashpra, nëse do të jetë e nevojshme.

“Siç e kemi parë sërish gjatë ditëve të fundit, trupat ushtarake ruse vazhdojnë të operojnë në Ukrainën lindore, në shkelje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, tha Obama. “Rusia ndodhet në recesion të thellë. Ndaj dhe mund të themi se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë duke dëmtuar vetë Rusinë dhe popullin rus”, shtoi më tej Presidenti i Shteteve të Bashkuara. “Megjithatë, vendet e G7 duan të bëjnë të qartë se, nëse do të jetë e nevojshme, ne jemi të gatshëm të vendosim sanksione të tjera edhe më të rënda kundër Rusisë”.

SHKARKO APP