Vuçiç mohon grumbullimin ushtarak në kufi me Kosovën: Fushatë gënjeshtrash kundër Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mohoi të dielën njoftimet e Shteteve të Bashkuara për një grumbullim ushtarak përgjatë kufirit me Kosovën, duke u ankuar për siç tha një “fushatë gënjeshtrash” kundër vendit të tij, një javë pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën”, ndërsa i kërkuan Beogradit që urgjentisht të tërheqë trupat ushtarake.
Qeveria e Kosovës tha të shtunën se po përcjellë lëvizjet e ushtrisë serbe, duke i kërkuar largimin e menjëhershëm të trupave nga kufiri i saj.
“Fushatë e gjerë kundër vendit tonë Serbisë. Fushatë e gënjeshtrave – fushatë e të pavërtetave. Ata kanë gënjyer për praninë e forcave tona ushtarake. Në fakt, ata janë të shqetësuar që Serbia ka ato që i përshkruajnë si armë të sofistikuara”, tha presidenti serb të dielën në një postim në rrjetet sociale.
Agjencia e lajmeve Associated Press publikoi të dielën pamje ku shihen automjete transportuese të ushtrisë serbe duke u larguar drejt Serbisë qendrore, një shenjë se ushtria mund të zvogëlojë praninë e saj në rajon pas thirrjeve amerikane dhe evropiane.
KOHA JONË SONDAZH

