Zbulohen disa arsye se si Koreja e Jugut po e mposht koronavirusin
Korea e Jugut është një ndër vendet e pakta e cila ia ka dalë të sheshojë kurbën e koronavirusit. Politika e saj e testimit, gjurmimit dhe trajtimit pa bllokuar lëvizjen është vlerësuar gjerësisht. Disa ia atribuojnë këtë përvojë të Koresë së Jugut, faktit që ajo është përballur me epidemi të mëparshme si Sars dhe Mers. Komentuesit në SHBA priren të kenë dyshime për udhëheqjen efektive të vendit, duke e krahasuar atë me Donald Trump. Të tjerë e vendosin theksin tek faktorët kulturorë, siç është gatishmëria e publikut për të sakrifikuar privatësinë, për një të mirë më të madhe.
Ajo që shpesh anashkalohet është se rrënjët e suksesit të Koresë së Jugut kundër Covid-19, qëndrojnë tek sistemi i mirë-financuar dhe efiçent i ofrimit të shërbimeve publike. Pa këtë infrastrukturë bazë, politika e testimeve, gjurmimeve dhe trajtimit nuk mund të ishte e qëndrueshme ose e zgjeruar në atë shkallë. Gjithashtu menaxhimi efektiv i situatës nuk mund të arrijë shumë, nëse i mungon një sistem shërbimi publik i ndërtuar mirë, që të mund ta ofrojë atë.
Marrim aeroportin më të madh ndërkombëtar të Koresë së Jugut, Incheon. Si një aeroport i menaxhuar publikisht, ai renditet vazhdimisht ndër më të mirët në botë. Po kështu edhe sistemi i metrosë të Seoul-it është i njohur në botë për tarifat e lira dhe efikasitetin e tij, duke e bërë atë një nga pesë sistemet më të mira nëntokësore. Deri tani, fakti më mbresëlënës është sistemi i kujdesit shëndetësor të Koresë së Jugut, i cili është renditur i pari midis vendeve të OECD në vitin 2015. Megjithëse spitalet në Kore kryesisht janë private, 97% e popullsisë Koreane është e mbuluar nga skema e detyrueshme kombëtare e sigurimit shëndetësor. Ky ekuilibër midis spitaleve të privatizuar dhe sistemit të sigurimeve publike ka siguruar qasje universale dhe burime të bollshme, duke dëshmuar efektivitetin e tij në krizën e koronavirusit.
Si e arriti Koreja e Jugut këtë? Në dallim nga Evropa perëndimore pas luftës së dytë botërore, vendosja e një sistemi të mirëqenies nuk ishte përparësia e diktaturave që sunduan vendin. Si shumë vende në zhvillim në Azi, u përqëndruan tek industrializimi dhe rritja ekonomike. Në të njëjtën kohë, diktatura investoi shumë në infrastrukturën publike, duke e parë si të domosdoshme për rritjen e industrisë së Koresë. Në vitin 1977, u prezantua sistemi i parë kombëtar i sigurimit shëndetësor të vendit, megjithëse ky sistem nuk ngjan aspak me sistemin e kujdesit shëndetësor që ato kanë sot.
Rivendosja e demokracisë në 1987 nuk e ndryshoi modelin ekonomik të udhëhequr nga shteti dhe mënyrën e menaxhimit të infrastrukturës. Ai që ndryshoi, sidoqoftë, ishte qëndrimi i njerëzve. Rrëzimi i diktaturës ushtarake në 1987 ishte rezultat i një vale protestash mbarëkombëtare. Përgjatë viteve 1990 dhe 2000, Koreja e Jugut pati protesta masive civile kundër një game të gjerë çështjesh, nga konfliketet që kishte me Amerikën deri tek keqmenaxhimi i një aksidenti të një trageti në vitin 2014. Kulmi i këtij mobilizimi masiv arriti në demonstrimet kundër ish presidentit Park Geun-hye. Protestat vazhduan nga tetori 2016 deri në mars 2017. Më 3 dhjetor 2016, përafërsisht 2.3 milion njerëz dolën në rrugë, gati 4% e tërë popullsisë. Këto më pas çuan në shkarkimin, gjykimin dhe burgosjen e Park.
Politika koreane që nga vitet 1990 mund të karakterizohet si një periudhë gjatë së cilës qytetarët i forcuan gjithnjë e më shumë në marrëdhëniet e tyre me shtetin, duke detyruar qeveritë të marrin mirëqenien e tyre seriozisht. Një fushë e cila ka qenë më e dukshme është transporti publik, energjia dhe kujdesi shëndetësor. Për një person normal, këto janë shërbime të përditshme që të gjithë qytetarët kanë të drejtë t’i gëzojnë, dhe të cilat paguhen nga paratë e taksapaguesve. Për ta thënë në terma më të dobishëm, ata janë barometrat më të prekshëm me të cilët mund të gjykojnë angazhimin e qeverisë për qytetarët e vet. Mosarritja e përmirësimit të cilësisë së tyre dhe menaxhimi i tyre jo me efikasitet, pothuajse gjithmonë çon në humbje të votave për partinë në pushtet.
Ndjeshmëria ndaj shërbimeve publike dhe përgjegjshmëria e popullit për t’i kërkuar llogari qeverisë, ka qenë nxitja për përmirësimin e shërbimeve publike të Koresë së Jugut në 20 vitet e fundit. Gjithashtu e ka bërë privatizimin të vështirë për t’u pranuar. Jo vetëm që është në kundërshtim me sensin e rrënjosur të së drejtës së tyre komunitare, por gjithashtu, duke parë që shërbimet janë përmirësuar nën qeverisje, shumë e venë në pikëpyetje logjikën e shitjes së tyre tek ndërmarrjet private.
Është ironike se për shumë vite, Koreanët besonin se të kesh shërbime publike të klasit botëror ishte ekuivalente me të bëhesh më demokratik dhe kështu më perëndimor. Shumë nuk ishin në dijeni për privatizimin e gjerë dhe dhënien e shërbimeve publike me koncesion, që po ndodhnin në perëndim në të njëjtën kohë. Kriza e koronavirusit që e zhyti Evropën në kaos e ka shkatërruar këtë imazh që shihej si ideal. Për sa i përket koreanëve, ky ka qenë një rezultati i “modelit Korean” për të cilin ata kanë luftuar për shumë vite.
Nuk ka gjasa që ky sistem të rrëzohet pas këtij suksesi. / The Guardian – Bota.al