Historiku, 17 vjet përpjekje për integrimin në BE

-Samiti i Zagrebit i Nëntorit 2000, lançoi Procesin e Stabilizim-Asociimit për 5 vendet e Evropës Juglindore, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Negociatat me Shqipërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit u hapën zyrtarisht në vitin 2003.

-Në samitin e Selanikut të qershorit 2003, BE konfirmoi zyrtarisht perspektivën e anëtarësimit në BE për të gjithë vendet pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim –Asociimit.

-Një element kryesor i këtij procesi është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila u nënshkrua në 12 qershor 2006.

-Hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje më 1 prill 2009, shënon një fazë të re më të avancuar të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në, të konceptuar si një marrëdhënie kontraktuale me detyrime dhe të drejta reciproke ndërmjet palëve. Kjo Marrëveshje zëvendësoi Marrëveshjen e përkohshme që ishte në fuqi për palët që nga dhjetori 2006 dhe synon një qasje graduale politike, ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë me BE-në.

-Më 28 prill 2009, Shqipëria paraqiti në Këshillin e BE-së kërkesën për anëtarësim. Më 16 nëntor 2009, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme dhe i Marrëdhënieve me Jashtë, i kërkoi Komisionit të përgatisë Opinionin për Shqipërinë. Më 16 dhjetor 2009, u dorëzua Pyetësori nga Komisioni Evropian. Në bazë të përgjigjeve të Pyetësorit të plotësuar nga pala shqiptare, në 10.11.2010 u publikua Opinioni i Komisionit Evropian për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim, në të cilin u identifikuan 12 prioritete kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

-Në Raport Progresin e vitit 2012, Komisioni rekomandoi që Këshilli duhet t`i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, në varësi të përmbushjes së masave kyçe në fushën e drejtësisë dhe reformës së administratës publike, si dhe përfundimin e rishikimit të procedurave të rregullores parlamentare.

-Në datën 16 tetor 2013, u prezantua dhe Raport Progresi i fundit për Shqipërinë, si pjesë e Strategjisë së Zgjerimit 2013-2014. Në kuadër të progresit të bërë, Komisioni rekomandoi që Këshilli duhet t`i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, me mirëkuptimin që vendi do të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu, Komisioni përcaktoi 5 prioritete kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Konkretisht: reforma në administratën publike; forcimi pavarësisë, eficiencës dhe llogaridhënies së gjyqësorit; lufta kundër korrupsionit; lufta kundër krimit të organizuar; mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë Romët dhe politikat anti-diskriminim; si dhe respektimi i së drejtës së pronës.

-Në datën 11 Nëntor 2013, u lançua dhe Dialogu i Nivelit të Lartë për Prioritetet Kyçe, Shqipëri-Komisioni Evropian, ku marrin pjesë Qeveria, Institucionet e pavarura si dhe Opozita. Platforma e Dialogut të Nivelit të Lartë (HLD), përbën një element shumë të rëndësishëm për të siguruar një proces gjithëpërfshirës dhe për të fokusuar energjitë tek reformat e nevojshme për avancimin e agjendës evropiane të Shqipërisë.

/shqiptarja.com

SHKARKO APP