Edi Rama edhe si regjisor!
(Ky editorial shikohet më i plotë si video, ndaj klikoje)
Samitin e Berlinit në Tiranë, me 16 tetor, e kishte organizuar në përfeksion vetë Edi Rama. Ai ishte regjizor, skenarist, drejtues dhe natyrisht njeriu që është në kulmin e shkëlqimit të tij.
Duke qenë mjeshtër i artit të komunikimit, gojtar dhe aktor njëkohësisht, Edi Rama i kishte menduar në detaje pothuaj të gjitha; që nga pritja para kryeministrisë dhe deri të picat me portretin e tij; që nga data 16 tetor që e kishte kërkuar me vendosmeri në Berlin e deri te ish-vila e Enver Hoxhës, që nga Piramida e kohës së diktatorit e deri te dokumentari që u shfaq para të gjithë të ftuarve.
Duke mos patur opozitë serioze dhe që mund ti rrezikoj pushtetin, ai, pra kryeministri Rama, kishte skicuar me finesë se si do të ishin edhe lëvizjet e dy balerinëve në katin e parë të kryeministrisë. Dhe pa patur frikë se atë ditë opozita mund të bënte protestë kundër “regjimit”. Me 16 tetor Edi Rama bënte “dasëm europiane” në shesh, kurse Berisha rrinte në shtëpi.
Edi Rama rrinte sa mes kancelarit gjerman, e sa te kryeministri holandez, sa te njeri dhe te tjetri; tamam si në një teatër që ai luan fijet e regjizurës.
I gjithë shteti kishte punuar për skenarin e kryeministrit.
Ndërsa ditën me diell e kishte dhuratë nga lart, nga Ai që na shikon të gjithëve!
Samiti ishte një ditë e shënuar për Shqipërinë, realisht shumë pozitiv sepse Tirana u bë kryeqendra europiane e ditës.
Ndërkohë brenda vetdijes së kryeministrit u duk se ai dhe Enver Hoxha janë njerëzit e Shqipërisë së këtyre 100 e kusur vitesh. Ishte paksa dhe Mbreti Ahmeti Zog, por kryesisht të dokumentari që publikoi, ishte Tirana e kohës së diktatorit Enver Hoxha si “Tirana sovjetike” dhe “Tirana e Edi Ramës” e kohëve tona.
Në fakt Tirana e pas vitit 1990 ka edhe emrin e Sali Berishës, si ish-president dhe ish-kryeministër, ndonëse me të këqijat apo me të mirat e epokës së tij. Por Sali Berisha nuk doli asgjëkundi në dokumentarin e transmetuar për të huajt.
Në dokumentar ishin dy veta; Enver Hoxha, në rolin e të keqit dhe Edi Rama si udhëheqës që po sjellë Europën mu në Tiranë.
Dikush mund të thotë se janë rastësi që Samiti i Berlinit ishte lenë pikërisht me datën 16 tetor, që ishte datëlindja e Enver Hoxhës. Apo që Samiti u organizua te ish-Piramida e Enverit, apo që edhe të ish-vila e diktatorit Hoxha u vendos të ishte vendi i artistëve.
Asgjë nuk mund të jetë rastësi me Edi Ramën, ai ka menduar dhe planifikuar gjithçka.
Ai, si regjizor, donte të thoshte, të cilën e realizoi mjeshtërisht, se Unë jam Edi Rama. Dhe që punoj për të mbetur në histori e jo për të bërë pasuri, siç bëjnë politikanët e tjerë.
Këtë e tha Edi Rama me 16 tetorin e Samitit të Berlinit. Ai Samit ishte për të dhe e realizoi mjeshtërisht që të mbetet në HISTORI!