Votimet që i bënë varrin politik mazhorancës

Të dielën në orën 21:00, pasi votimet monopartiake kishin përfunduar, kryeministri Edi Rama doli në konferencë për mediat dhe bërtiti: “Fitore historike”. Ishte fraza më e gabuar që një politikan mund të thoshte në fund të një dite ankthi si ajo e djeshmja. Ajo që kryeministri Edi Rama e cilësoi sukses, i ngjan më shumë Fitores së Piros. Gjenerali i famshëm ilir në betejën e zhvilluar në Heraklea të Greqisë 280 vjet para Lindjes së Krishtit la në fushën e betejës aq shumë ushtarë dhe gjeneralë në luftë sa e krahasoi “fitoren” njëlloj si humbje. Kështu ishte edhe ajo që Edi Rama e quante fitore, një humbje totale. Ishte një humbje sepse nëse lexon në mënyrë të qartë shifrat e pjesëmarrësve dhe jo emrat e kandidatëve të PS (këta dihet se do fitonin), rezulton se kryeministri me 30 qershorin bëri vetëvrasje politike. Le t’i marrim me radhë humbjet e Ramës nga procesi i djeshëm. Shifra e pjesëmarrjes në votime, sipas Partisë Demokratike, kryetarit të saj Lulzim Basha dhe vëzhguesve të opozitës është 15.12% ose 534,528 votues. “Sot shqiptarë braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste”,- deklaroi dje Lulzim Basha. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 21.6% ose 771863 kanë votuar. Vërtetësia e këtyre dy të dhënave do të jenë temë debati për shumë kohë, por këtu nis dhe humbja e Ramës. Arbitri i zgjedhjeve në Shqipëri nuk janë vetëm ndërkombëtarët, por komisionarët partiakë. Në të gjitha zgjedhjet, rezultati bëhet i besueshëm sepse është pala tjetër që firmos proces verbalet e komisioneve. Dje, nga komisioni i votimit, numërimit dhe deri të KQZ janë të gjithë anëtarë të PS. Edhe sikur socialistët e komisioneve të kenë qenë njerëzit më të ndershëm në vend, nuk ka asnjë mundësi që 21.6% të jetë shifër reale dhe të mos jetë rritur fiktivisht. Nuk kishte asnjë që ti ndalonte ta bënin, përkundrazi merrenin vetëm telefonata që ta rrisnin, si dikur PD-ja në maj 1996. Duke shtuar këtu dhe mijëra denoncimet për votime fiktive, mbushje kutish, votime familjare dhe kërcënime të administratës për të votuar me dhunë, pjesëmarrja e djeshme është shumë afër asaj që ka dhënë Partia Demokratike.

Votimet e djeshme të Edi Ramës nuk ishin zgjedhje, por referendum kombëtar. Në këtë sfidë ku i ftoi qytetarët Edi Rama shqiptarët i dhanë mesazhin më të hidhur. Shkuan të votojnë vetëm 15% duke treguar refuzim total. Me votimet e djeshme, Rama humbi mbështetjen popullore që ka pasur si politikan, humbi votat e PS dhe humbi moralin për të vijuar më tej me qeverisje. Me 15% e votave në kuti, kryeministri Edi Rama tregoi se kur një Kryeministër u drejtohet me arrogancë shqiptarëve përfundon të bojkotohet masivisht, si asnjë politikan tjetër në historinë e vendit. Refuzimi për të votuar dje nuk duhet parë si një goditje ndaj PS. Ata votuan kundër Edi Ramës. Shqiptarët refuzuan të bëhen pjesë e një farse elektorale duke dalë jo vetëm kundër këtij procesi, por personalisht kundër Edi Ramës. 30 qershori nuk ishte betejë e qytetarëve kundër opozitës, siç thotë Rilindja. Nuk ishte as datë për zgjedhje lokale, sepse Edi Rama gjithë fushatën e ngriti në nivelin kombëtar dhe jo lokal. Dje kryeministri mori një mësim popullor dhe që duhet të reagojë urgjent.

Lojërat që po bëhen më KQZ dhe shifrat e pjesëmarrjes janë një tjetër tregues i panikut dhe humbjes së Rilindjes. Ndërkombëtarët duhet  të tregojnë me gisht farsën e këtij procesi dhe të shpëtojnë imazhin e tyre, sepse shqiptarët e panë se çfarë shëmtie u bë. Opozita dje nuk ishte në proces, por pati mundësi të dëshmonte çdo manipulim. Atë që nuk e bën mediat, vëzhguesit ndërkombëtarë, e realizuan ata që bojkotuan procesin, duke u sjellë shqiptarëve gjithë shëmtinë e votimeve monopartiake. Sado të justifikohet PS, shqiptarët panë mjaftueshëm blerje votash me thes mielli, kërcënime ndaj nëpunësve, thyerje kutish nga komsionerët e PS, votime nga 2 herë të socialistëve, sa të krijojnë idenë se edhe ky rezultat u manipulua. Ishim mësuar me vjedhje kur në garë janë dy kundërshtarë, dje pamë se turpi nuk ka fund. U vodhën edhe kur një parti është e vetme në garë. Me këto votime, një tjetër humbje e Kryeministrit është se i dha të drejtë Lulzim Bashës kur thotë se me “Ramën nuk ka më zgjedhje”. Kur një kryeministër vjedh dhe manipulon zgjedhjet që organizon vetë, me kandidatët e vetë, çfarë do bëjë kur të këtë përballë kundërshtarë?

Edi Rama pas refuzimit popullor të ditësh së djeshme, ka një zgjidhje: Të shkojë në zgjedhje të parakohshme në tetor-nentor, por duke zbritur vetë nga kali i kryeministrit. Nëse nuk e bën këtë do ta detyrojnë të huajt ta bëjë.

Nëse nuk e bën atëhere opozita nuk ka zgjidhje përveç përplasjes finale me kryeministrin.

Mili Xhani

SHKARKO APP