Betejat politike në Vitin 2015
Viti 2015 është një vit elektoral, ndaj dhe gjithë energjitë e partive politike do të jenë të përqendruara tek fushata. Veç zgjedhjeve vendore 2015-a ka një sërë sfidash dhe beteja të tjera politike. Guvernatori, reforma në drejtësi dhe hapja e dosjeve janë disa çështjet e mprehta, ku përplasjet nuk do të mungojnë. Por klasa politike në Shqipëri ka treguar se nuk respekton kalendarët normal të ngjarjeve, ndaj listës së ngjarjeve kryesore që kemi renditur më poshtë për 2015, mund tu shtohen edhe bojkotet, protestat, përplasjet e dhunshme, grevat e urisë dhe skenarë të tjerë surprizë që politika i prodhon me shumicë.
Zgjedhja e Guvernatorit
Sfida më e afërt politike mes dy kampeve është zgjedhja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Pas skandalit të vjedhjes së Bankës së Shqipërisë posti i kreut të institucionit më të rëndësishëm financiar në vend është më i lakmuari mes partive politike. Genti Sejko, kandidatura e propozuar nga kreu i shtetit u prit me rezerva nga ana e mazhorancës. Por pas disa takimesh mes kreut të shtetit dhe kryeministrit Edi Rama, mazhorancës ka nisur t’i pëlqejë kjo kandidaturë. Dëshmi e kësaj është dhe numri i madh i votave që mori në Kuvend z.Sejko, si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, i propozuar nga vetë Këshilli Mbikëqyrës me shumicë berishiane. Nuk dihet nëse Guvernatori i ri është shenja e parë se mazhoranca ka bërë paqe me Presidentin për dekretet e këtij të fundit, apo Sejko është një emër që është firmosur nga Nishani pasi ka marrë miratimin e heshtur të mazhorancës. Gjithsesi emërimi i tij nuk është bërë ende dhe deri në votim shumë gjëra mund të ndryshojnë. Apo siç thuhet nën zë në mazhorancë se është rënë dakort me Presidentin Nishani që i japin Guvernatorin dhe i marrin tre emrat për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Mundet të votojnë Guvernatorin ,por të mos marrin as tre anëtarët e Gjykatës, pasi Burri që rri në katin e 14-të, dy kate mbi miliarderin shqiptar Samir Mane, nuk do të jap viston Kreut të Shtetit. Gjithsesi emri i Guvernatorit do të zgjidhet pikësëpari gjatë javëve të janarit ose e shumta deri në shkurt. Në thelb duket një çështje e mbyllur.
Zgjedhjet vendore
Zhvillimet e tjera gjatë vitit 2015 do të jenë të parëndësishme përballë zgjedhjeve vendore që pritet të mbahen më 21 qershor. Pala që do të fitojë zgjedhjet do të jetë ajo që ka fituar jo një betejë, por gjithë luftën politike të vitit 2015. Data është dekretuar nga Presidenti, mazhoranca ka nisur të përzgjedhë kandidatët, por në fushë, të paktën deri tani, duket se mungon kundërshtari. Shkak është bërë reforma territoriale. Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje me ndarjen e re administrative ku do të zgjidhen 61 drejtuesit e rinjë të njësive vendore në gjithë vendin ose siç quhen ndryshe “ kryeministrat vendorë”. “Nuk ka zgjedhje vendore” është fjalia e përdorur më shpesh nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndërsa ish-kryetari i partisë, Sali Berisha shkon edhe me tej në qëndrimet e tij, duke u shprehur se zgjedhjet janë të manipuluara ende pa nisur. Sipas tij, ndarja është bërë në mënyrë të tillë që në shumicën e njësive të dalë fitues koalicion i majtë. Në këtë situatë, më pak se gjashtë muajt e mbetur deri në rënien e gongut elektoral, pritet të jenë një përplasje e hapur mes opozitës dhe mazhorancës. Përplasje që nuk lidhet vetëm me debatin, do kemi apo s’do kemi zgjedhje, por edhe me mënyrën sesi do të bëhen ato. Cili do jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që do t’i administrojë, pasi aktuali është i paplotë? Si do të bëhet reforma zgjedhore për 61 zonat e tjera, pasi Kodi aktual Zgjedhor është i mangët në këtë pikë.
Zgjedhjet vendore nuk janë një betejë mes opozitës dhe mazhorancës. Edhe brenda vetë kampeve politike duket se do të ketë lëkundje të lehta. Brenda së djathtës në garë janë besnikët e Berishës me njerëzit e rinjë të Lulzim Bashës, por nuk mungojnë dhe aleatët e vegjël me orekse të mëdha si republikanët etj. Ndërsa tek e majta, zgjedhjet vendore do të jenë një sfidë jo e vogël që do të duket sesa e fortë është “dashuria” Rama-Meta. Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, janë disa nga qytetet ku emrat përfolur për kandidat nuk janë vetëm të PS-së, por edhe të LSI-së. Mënyra sesi PS-LSI do të ndajnë zonat elektorale brenda vetë koalicionit të majtë do përcaktojë jo vetëm suksesin e zgjedhjeve, por më shumë se kaq edhe jetëgjatësinë e koalicionit qeverisës.
Hapja e dosjeve të Sigurimit
Nisi nga një fjali e kryeministrit Edi Rama në hapjen e një prej bunkerëve të ish-diktaturës komuniste dhe tashmë është kthyer në një debat publik me projekte konkrete ligjore. Në mbledhjen e fundit të vitit 2014 qeveria miratoi ligjin për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit. Brenda disa javëve ligji pritet të kalojë në Kuvend dhe çështja e dosjeve nuk do të ngelet më vetëm në rrafshin e diskutimeve. Projekti i prezantuar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj parashikon që personat që kanë qenë të prekur nga veprimtaria e sigurimit të shtetit të njihen me dokumentacionin sekret. Një komision i posaçëm që do të ngrihet nga Kuvendi do të shqyrtojë gjithë dokumentet e sigurimit të shtetit që nga 29 nëntor 1944 deri 31 mars 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë. Projektligji parashikon dhe kritere të reja për zyrtarët e lartë. Për të gjithë funksionarët e lartë pritet të bëhet verifikimi në dokumentet e Sigurimit të Shtetit. Drejtuesit e shtetit, gjyqtarët, deputetët, diplomatët dhe gjithë drejtuesit e lartë të administratës pritet të kalojnë në sitën e komisionit të posaçëm që do të ngrihet pas miratimit të ligjit. Hapja e dosjeve pritet të shkaktojë jo pak përplasje politike, pasi një pjesë e mirë e akuzave mes palëve, gjatë 24 viteve pluralizëm kanë qenë pikërisht për bashkëpunimin me ish-sigurimin e shtetit.
Dekriminalizimi i Parlamentit
Rezoluta e miratuar me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve ditët e fundit të muajit dhjetor, veç kthimit të PD-së në Kuvend, ka dhe një pikë për dekriminalimin e Parlamentit. Dokumenti është vetëm shprehje dëshire e palëve për të pastruar Kuvendin dhe administratën nga njerëzit me precedentë penalë. PD-ja ka deklaruar se brenda pak muajve do të paraqesë projektligjin që do të ndalojë futjen e “kriminelëve” në Kuvend. Mazhoranca nuk ka pasur rezerva për këtë pjesë, por para se të shkohet tek ligji, palët duhet marrin mendimin e Komisionit të Venecias dhe mund të nevojiten dhe ndryshime të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Gjasat janë që me afrimin e zgjedhjeve, palët të heshtin për këtë pikë, pasi “të fortët” apo “kriminelët-binzesmenë” janë ata që mbledhin vota në zonat ku kundërshtarët janë më të fortë. Një rregull ky që vlen për të dyja palët.
Reforma në drejtësi
Një nga nismat më të rëndësishme ligjore për vitin 2015 pritet të jetë reforma për drejtësi. Sondazhet tregojnë se Shqipëria ka drejtësinë më të korruptuar dhe mungesa e reformave në këtë drejtim kanë penalizuar procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Konflikti mes mazhorancës dhe Presidentit për emërimin e gjyqtarëve duket se do të jetë një tjetër arsye më shumë për të shpejtuar ndryshimet ligjore në këtë sektor. Ndërkohë që mazhoranca pritet të vërë në jetë dhe projektin e saj për krijimin e një Gjykata Supreme, duke suprimuar rolin e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Një ndryshim që pritet të sjellë konflikte mes mazhorancës, opozitës, Presidentit dhe sistemit të drejtësisë. Por Kryeministri Rama është i vendosur ta bëjë këtë reformë me çdo kosto.
Ekonomia
Situata ekonomike në vend nuk është një betejë mes PS-PD, por një betejë e mazhorancës me veten. Opozitës si mbetet veçse të marrë si bonuse politike dështimet e qeverisë në këtë pikë. Gjatë vitit që lamë pas, më shumë se kurdo herë tjetër, në diskutimet politike zunë vend fjalët çmime, buxhet, taksa. Nga kjo pikëpamje ky vit nuk pritet të ndryshojë. Partia Demokratike e ka nisur vitin me deklarata për ekonominë. Ndërsa dje, kreu i saj, Lulzim Basha bënte thirrje për protesta kundër çmimit të energjisë dhe rritjes së taksave. Zhvillimet ekonomike janë ato që kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në vend, më shumë sesa çdo betejë tjetër politike.
Zgjedhje e Keshillit Drejtues dhe drejtorit të Përgjithshëm në RTSH
Institucioni i vetëm publik radioteleviziv në Shqipëri RTSH ka prej dy vitesh pa organe të zgjedhura drejtuese. Në fund të vitit të kaluar mazhoranca votoi për 5 anëtarët e saj, porse formula është e ngatërruar, pasi 5 i propozon mazhoranca dhe 5 opozita nga Keshilli Drejtues i RTSH. Emri i anëtarit të 11-të si rregull me konsensus, por derisa nuk jepet ky atëhere PS-LSI do ta zgjedhin vetë . Problemi mbetet se 5 anëtarët e tjerë të Keshllit Drejtues duhen propozuar nga opozita, gjë të cilën nuk e ka bërë. Por edhe nëse votohen emrat e opozitës problemi më pas kalon në një kalvar tjetër për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të RTSH. Ligji e ka se ai zgjidhet me votim të fshehtë me dy të tretat e votave, që duhen 8 vota, gjë të cilën zor se e arrijnë nëse mazhoranca don njeriun e saj apo opozita njeriun e vetë. Kështu që duhet konsensus patjetër për emrin e drejtorit të përgjithshëm, gjë që duket larg si mendim në selinë blu.
Qamil Xhani