Fatos Lubonja: Intervista e amerikanit Grenell vetëm sa e ngatërroi situatën dhe rriti dyshimet për copëtimin e Kosovës

Nga Fatos Lubonja

Dëgjova me vëmendje mbrëmjen e së premtes intervistën e Grenellit në T7 me gazetarin Berat Buzhala ku ai shpjegoi dorën amerikane në rrëzimin e qeverisë Kurti. Sipas Grenellit shkaku ishte mos heqja e taksës pa kushte që, sipas tij, Kurti ia kishte premtuar përpara zgjedhjeve “duke e parë drejt në sy”. Arsyeja pse amerikanët ngulmuan kaq shumë që taksa të hiqet ishte sepse zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe ekonomike është shumë i rëndësishëm për të zgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi, se kjo është në të mirë të popullit të Kosovës që po dëmtohet ekonomikisht si dhe në interesin e biznesit amerikan që kërkon të investojë në Kosovë.

Përsa i përket ndryshimit të kufijve Grenelli përsëriti pak a shumë deklaratën e bërë, së bashku me ambasadorin Kosnett dhe Palmerin, se ai nuk ka parë ndonjë plan sekret për të cilin flitet madje u shpreh se ai vetë është kundër idesë së ndryshimit të kufijve.

Këto deklarime u interpretuan si mjaftueshëm bindëse për Buzhalën dhe ata që kryen largimin e qeverisë Kurti, për të hequr dyshimin se dora amerikane u shty që t’i hapej rruga marrëveshjes për ndryshimin e kufijve dhe, më në përgjithësi, dyshimin se Grenelli na e fshehu se ku fle lepuri? Gjykoj se për këtë do ishte dashur të dëgjonim përgjigjet rreth disa pyetjeve/temave që munguan në atë intervistë.

Tema e parë është ajo e ngutit: Pra, pse ky ngut për të rrëzuar një qeveri në kohën e pandemisë? Kaq të paduruar qenkan investitorët amerikanë për të investuar dollarët e tyre në Kosovë në kohë pandemie kur në të gjithë botën ekonomia po sakrifikohet për shëndetin? Po ende, edhe pse Grenelli e paska kaq merak interesin ekonomik të popullit të Kosovës, braktisjen e vendit, siç e theksoi, a nuk do të ishte më mirë që amerikanët të tregonin pak më durim duke pasur parasysh se po kthejnë në pushtet pikërisht ata që i kanë bërë të ikin kosovarët?

Tema e dytë munguese ishte se çfarë mendon Grenelli për reciprocitetin serb që kërkon Kurti, për fushatën që po bën Serbia për çnjohjen e Kosovës, sepse, tek e fundit, taksa u vu pikërisht për të parandaluar këtë fushatë dhe planin e promovuar nga Thaçi për ndarjen e Kosovës?

Dhe këtu vijmë tek pyetja ndoshta më e rëndësishme që mungoi. Si do ta interpretonte Grenelli faktin se administrata amerikane ka deklaruar se nuk e përjashton korigjimin e kufirit nëse shqiptarët dhe serbët do të arrinin një marrëveshje, – çka nuk e ka thënë vetëm ish bosi i tij Boltoni, por edhe kolegu i tij Palmer jo më larg se më 18 shkurt 2020? Pra, Grenelli duhej pyetur se ku e kanë burimin këto qëndrime amerikane, aq më tepër kur aleatët kryesorë evropianë të SHBA janë shprehur haptazi se janë kundër edhe sikur ta duan të dy palët. Them se ai do të na bindte më mirë sikur të na thoshte se e di që ka qarkulluar kjo ide, se edhe administrata amerikane e ka menduar si mundësi, por se tani kanë ndryshuar mendim duke na shtjelluar, mundësisht, edhe arësyet pse kanë ndryshuar mendim.

Pra, lidhur me intervistën, mund të them se ajo nuk e hoqi dyshimin se projekti i ndryshimit të kufijve vazhdon të jetë i vlefshëm për administratën amerikane, (qoftë edhe pse, për këtë, nuk mjafton që Grenelli të thotë “unë jam kundër”) por, nga ana tjetër, ajo na përforcoi bindjen se Grenelli e mbajti të fshehur arësyen e ngutit amerikan për të rrëzuar një qeveri në kohë pandemie.

Si përfundim, shpjegimi i amerikanit Grenell se e rrëzuan qeverinë në kohë pandemie për hallin e popullit shqiptar është po aq i pabesueshëm sa edhe shpjegimi i shqiptarëve që thonë se Kurti duhej larguar se po na prishte me amerikanët. Në këtë histori amerikani Grenell është po aq i (keq)përdorur nga shqiptarët sa ç’i ka (keq)përdorur ai shqiptarët për qëllimet e administratës amerikane. Se cilët janë këto qëllimet do të bëhet më e qartë në kohën në vazhdim, por meqënëse kemi mbetur me dyshime, do të thoja se i pari që të vjen në mendje është se Grenelli dhe Vuçiçi nuk duan Kurtin, por Thaçin në bisedimet mes tyre.

Sa për atë se cilat ishin qëllimet e shqiptarëve që rrëzuan qeverinë në kohë pandemie nuk ka nevojë të ngresh dyshime sepse ato janë të qarta. Janë të shkruara thuajse në çdo faqe të historisë sonë, si këtej kufirit nga Shqipëria edhe andej kufirit nga Kosova.

SHKARKO APP