Kryeministër, mbylli kufijtë me Italinë!

Tashmë është e qartë që virusi po vjen nga Italia, ku mendohet se jetojnë mbi 600 mijë shqiptarë. Natyrisht një pjesë e tyre ose janë prekur ose do të preken.

Urojmë shpëtim për çdo emigrant shqiptar, edhe për çdo italian. Por kur Italia, që mbetet ndër 7 shtetet kryesore të botës, po përkulet para virusit në fjalë, imagjino se çfarë bëhet në Shqipëri, nëse koronavirusi prek shumë njerëz!

Derisa virusi të dëshmojë shenja dobësimi duhet penguar çdo hyrje-dalje me Italinë, pra të mos lejohet hyrja e askujt nga ky vend. Izraeli dje vendosi që çdo i huaj (sidomos italian) që hyn në Izrael, pavarësisht se nga vjen do hyjë në karantinë për 14 ditë. Në këtë kuptim ne jemi vendi më i shqyer në Europë, pa kufij e pa kontroll, se këtu hyn kush të dojë.

Ndaj kur vetë kryeministri Italian zoti Conte vendosi nga sot futjen e krejt shtetit italian në “zonën e kuqe”, ku afro 60 milionë banorë janë si nën rrethim prej rrezikut koronavirus, pse kryeministri shqiptar nuk merr hapin vendimtar; bllokimin e hyrje-daljeve me Italinë deri në një moment që gjykohet se rreziku kalon?

Ndonëse veprimi i qeverisë shqiptare ishte i vonuar dje edhe për bllokimin e trageteve dhe linjave ajrore me Italinë, pasi mund ta bënte sapo Lombardia filloi karantinën, por së paku qeveria shqiptare duhet të jetë në sulm për të mbrojtur çfarë ka mbetur për t’u mbrojtur në Shqipëri, kur korona virus ka hyrë!

Zoti kryeministër!

Duhen masa emergjente jo vetëm nga shëndetësia, e cila po punon me mish e shpirt, por duhet që ju të dilni orë e çast siç del në Itali kryeministri Conte. Ju keni firmën dhe autoritetin për të firmosur mbylljen e kufijve me Italinë kur akoma ka shanse shpëtimi për qytetarët shqiptarë që banojnë këtu, në Atdhe.

Janë vendime të forta, por kur flitet për një virus që po shkatërron botën, duhen vendime autoritare!

Nuk ka nevojë të tregohesh autoritar me mediat apo opozitën, sepse ata flasin e mbrohen vetë.

Mbro popullin tënd!

Spiten Prulli, ora 07.45

SHKARKO APP