Letër një perendimori, ja ku keni gabuar me muslimanët

 

I dashur perëndimor!

Në vitin 2010, revolucionet shpërthyen në shtëpinë time, botën arabe. Diktaturat dinastike u rrëzuan, duke i lënë hapësirë – për herë të parë në historinë bashkëkohore arabe – mundësisë për të zgjedhur. Për çfarë zgjedhje po flas? E kam fjalën tek mundësia për të vendosur mbi të ardhmen e tyre.

Brezi im dhe ai i tim eti u rritën nën një president të vetëm, që kur vdiq i la postin e tij të birit. Në 50 vitet e fundit, bota ime është përshkruar nga nacionalizmi arab, i zbehur me vdekjen e Naserit dhe nga makthet e totalitarizmave arabe.

Kështu, ISIS-i nuk është totalitarizmi i parë me të cilin unë janë përballur. Por ai është fytyra më e mediatizuar e një makthi të vjetër, me të cilin unë kam bashkëjetuar.

Mizoritë e ISIS-it, që ti i sheh nëpërmjet televizionit, unë tashmë i kam përjetuar. Kam parë masakrat në burgjet arabe, sulmet me armët kimike, arrestimet arbitrare. Kam qenë dëshmitar i gjenocideve të kryera nga regjimet tona dhe kjo është arsyeja se përse s’befasohem më prej barbarive.

Sot jeta e një arabi është shumë e brishtë dhe vlen po aq sa një bidon me benzinë. Megjithatë, ti mos u habit nëse shoqëria ime është shëmtuar. Duhet të dish se për 50 vjet, fëmijët në shkollë çdo mëngjes janë betuar për të mbrojtur deri në vdekje “presidentin e tyre të dashur”.

Ky president, njeriu i të mbinatyrshmes, gjysmëperëndi, shtypte të gjithë disidentët, dhe bënte biznes duke ua shitur pasuritë tona natyrore fuqive botërore, pikërisht atyre vendeve që edhe pse himnizojnë të drejtat e njeriut, gjithësesi në vend të tyre kanë qenë në gjendje t’i shkëmbejnë ato për një fuçi nafte.

Shoqëritë tona janë goditur nga individualizmit radikal (kjo për shkak të mungesës së besimit, që rrjedh nga paranoja e zhvilluar, për shkak të pranisë së gjerë të shërbimeve të sigurisë), dhe kjo ka rezultuar në shpërbërjen e ndjenjës së bashkësisë kombëtare.

Është kjo arsyeja se përse çdo lloj tranzicioni politik tek ne është shumë i vështirë. Dua t’i drejtohem atij, që me ty në Perëndim, sot mendon se “arabët ishin më mirë me Gedafin, Ben Alinë dhe Mubarakun, sepse ata ishin e keqja më e vogël dhe garantonin statuskuonë”.

Kush formulon të tilla gjykime nuk ka kaluar sigurisht një ditë të vetme në burgjet e atyre regjimeve, nuk bart në trup asnjë shenjë torture dhe as ka jetuar ndonjëherë në mërgim të detyruar. Shfaqja e ISIS-it i ka bërë një favor të madh atyre që kërkojnë rivendosjen e rendit të vjetër në botën arabe.

Në fakt, që kur kjo organizatë terroriste është shndërruar në një problem edhe për ju – për shkak të prerjes së kokave të gazetarëve perëndimorë dhe vullnetarëve të organizatave humanitare – të cilët bënin tifo kundër “Pranverës Arabe”, ajo dhe fitoi luftën e perceptimeve.

Sot të dëgjosh një arab që kërkon lirinë, evokon të drejtën e vetëvendosjes, tingëllon si qesharake. “Këta arabët, nuk janë të aftë si ne, të qeverisin veten e tyre” – thonë shumë syresh, dhe kjo ka bërë, që disa të besojnë, se është më mirë të rivendosen në pushtet njerëzit e vjetër të regjimit, si psh El-Sisi në Egjipt.

Veprat e ISIS-it, i dashur mik perëndimor, po delegjitimojnë sakrificën e qindra-mijëra arabëve, të cilët protestuan nga Sheshi Tahrir në Kajro deri në Damask të Sirisë, duke brohoritur për liri e duke marrë si përgjigje plumbat e represionit.

 

Fondamentalizmi është një problem veçanërisht për ne. Është fakt që ISIS-i po therr më shumë myslimanë sesa të krishterë, por kujdesi yt për të vajtuar vetëm fatin tragjik të këtyre të fundit, vetëm sa do të rrisë radikalizmin. Pasi myslimanët do të ndihen përherë viktimat e serisë B, dhe kjo s’mund të bëjë gjë tjetër veçse të shtojë radhët e radikalëve.

Për më tepër, veprat e këtyre terroristëve po ofrojnë argumentet e nevojshme për “sipërmarrësit  e frikës” për të thënë se “të gjithë myslimanët janë terroristë”. Së fundmi, ISIS-i po e largon vëmendjen tuaj nga ajo që po ndodh në botën arabe: shihni bombardimet ajrore mbi qytetet siriane nga Asadi, fushatat e arrestimeve dhe ekzekutimeve kundër aktivistëve të paqes në Egjipt, arrestimet në Arabinë Saudite, Bahrein dhe katasfrofa e ditëve të fundit në Jemen.

Më lejo ta përfundoj, duke të kërkuar reciprocitet. Reciprocitet për mirënjohjen, respektin dhe dialogun. Të kërkoj të marrësh në konsideratë çdo të vdekur nga seria A. Kemi nevojë të kuptojmë njëri-tjetrin. Lipset të besojmë së bashku se liria nuk i përket ekskluzivisht një qytetërimi të caktuar, por çdo lloj qenieje njerëzore.

Së fundmi, të ftoj të zgjedhësh të mbështesësh shoqërinë arabe: atë që e refuzon fanatizmin dhe diktaturën. Vetëm kështu, do të ketë shpresë se muret e reja do të rrëzohen së bashku me fanatizmin dhe diktaturat.

Shkrimtar, i lindur në Milano në 1988, me nënë italiane dhe baba sirian

 /Il Fatto Quotidiano/www.bota.al

SHKARKO APP