Lulzim Basha, Edi Rama dhe koronavirusi mes tyre
Lideri opozitar sulmoi dje kryeministrin dhe u quajt si “tradhtar” nga Rilindja se shfrytëzon situatën, por nëse shikon se ç’ndodh në Itali e kupton se opozita jo vetëm kritikon çdo ditë qeverinë, por ka kërkuar dhe largimin e kryeministrit Guseppe Conte duke e akuzuar për paaftësi në menaxhimin e situatës. Nëse krahason opozitën shqiptare me atë në Itali opozita jonë jo vetëm ka qenë më e moderuar, por edhe bashkëpunuese për përballimin e situates.
Coronavirus po rritet në Shqipëri. Dje ishte dita e parë me dy shifra. Deri në orën 14:00 numri i të prekurve me koronavirusi kishte arritur në 10 veta. Veç rasteve në Tiranë që dyshohet se ishin dhe të parët, një rast i zbuluar në Durrës tregon se tashmë kemi dy zona të konfirmuara ku numri i të prekurve mund të rritet. Specialistët e shëndetësisë pranojnë se shifrat aktuale gjatë ditëve në vijim mund të ndryshojnë. Ndërkohë ministri i Shëndetësisë në Turqi, Fahredin Koca, deklaroi dje se në këtë shtet është regjistruar me koronavirus një paciente amerikane. Sipas tij, shtetasja amerikane ka ardhur në Turqi nga Aeroporti i Tiranës me datën 3 mars. Një informacion i tillë edhe pse duhet verifikuar nga institucionet shton edhe më shumë dyshimet për hartën e përhapjes së virusit në Shqipëri.
Pas konfirmimi të rastit të parë, identifikimi i të cilit ka qenë i vonuar, qeveria urdhëroi mbylljen e kopshteve, shkollave dhe çerdheve dhe anulimin e aktiviteteve publike. Thirrja për vetëkarantinim duket se është marrë me humor nga shqiptarët. Dje, të rinjtë dhe gjithë ata që morën pushime janë dyndur nëpër lokale dhe bare duke rritur ndjeshëm rrezikun e përhapjes së virusit. Për të ndërgjegjësuar qytetarët, që ende nuk e kuptojnë se koronavirusi nuk është grip i thjeshtë, qeveria është e detyruar të ashpërsojë masat. Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se do të mbyllen baret, restorantet, pub-et, lokale nate, disko apo të tjera lloje shërbimesh. Deri më datën 3 prill do të jenë të mbyllura ambientet e dedikuara për argëtimin e fëmijëve, të rinjve, aktiviteteve në palestra, qendra sportive, pishina, qendra kulturore, qendra sociale dhe qendra argëtimi. Qeveria ende nuk e ka publikuar vendimin disi ekstrem, por nga dhënia e këshillave kryeministri Edi Rama kaloi në tone kërcënuese. Ajo çfarë propozoi dje kryeministri Edi Rama është njëlloj karantinë e pashpallur. Masa të tilla do të kenë efekt të padiskutueshëm në ekonomi dhe gjithë jetën e vendit, por në retorikën e kreut të qeverisë nuk u fol asnjë fjalë sesi do të kompensohen humbjet financiare të bizneseve.
Ndërkohë që vendi përballet më situatën më kritike për jetën e qytetarëve, gjatë gjithë ditës sherret politike dhe propagandën e panevojshme ishin dje kryefjala e ditës. Kreu i PD-së, Lulzim Basha denoncoi dje institucionet për përdorimin e maskave të skaduara. Akuza është e rëndë dhe sigurisht alarmante. Mjekët që janë në vijën e parë të përballjes me virusin duhet të jenë më të mbrojtur nga të gjithë dhe normalisht që duhet të kenë garanci fizike. Në vend që kësaj akuze ti përgjigjen ekspertët e shëndetësisë, rolin e ekspertit e ka marrë kryeministri Edi Rama. Në mbledhjen e qeverisë, gjysmën e kohës para mediave, Edi Rama e shpenzoi për të sulmuar Lulzim Bashën, opozitën dhe madje edhe presidentin. Kreu i qeverisë shpalosi gjithë arsenalin e oratorisë duke sulmuar opozitën për lajme të rreme, hapje paniku dhe përfitim politik. Retorika e përdorur nga kryeministri i ngjante asaj që përdor gjatë fushatave kur i duhen vota dhe nuk kishte lidhje me situatën emergjente që po kalon vendi. Kryeministri bëri dhe moral etiko-politik kur tha se në asnjë vend të botës, në raste emergjencash, opozita nuk sulmon qeverinë. Në fakt, vetëm po të shikosh atë që po ndodh në Itali e kupton se opozita jo vetëm kritikon çdo ditë qeverinë, por ka kërkuar dhe largimin e kryeministrit Guseppe Conte duke e akuzuar për paaftësi në menaxhimin e situatës. Dje opozita italiane propozoi si plan masash emërimin e një Komisari Fuqiplotë për Emergjencat (me autoritetin vendimmarrës ekstrem), i cili të menaxhojë situatën me ekspertët dhe jo me politikanët dhe qeveritarë. Nëse krahason opozitën shqiptare me atë në Itali opozita jonë jo vetëm ka qenë më e moderuar, por edhe bashkëpunuese për përballimin e situatës. Ndërkohë në Tiranë, Lulzim Basha vetëm sa i tregoi Edi Ramës se maskat që u ka dhënë mjekëve janë të skaduara dhe shpërtheu polemika politike. Opozita nuk është për dekor, por për të kontrolluar veprimet e qeverisë. Nëse opozita nuk denoncon sot kur bëhet fjala për jetën e qytetarëve, kur do të denoncojë? Shqetësimi që ka ngritur kreu i PD-së kërkon përgjigje serioze, jo sulme dhe pallavra politike.
Ndërkohë në mbledhjen e qeverisë ministrja e shendetsisë njoftoi se ka vendosur ndër të tjera Mbylljen për publikun deri në datën 3 prill 2020 të gjitha ambienteve që ofrojnë shërbime, lokale nate, disko apo të tjera lloje shërbimesh. Mbylljen për publikun deri në datën 3 prill të ambienteve të mbyllura të dedikuara për argëtimin e fëmijëve apo të rinjve, aktiviteteve në palestra, qendra sportive, pishina, qendra kulturore, qendra sociale, apo qendra argëtimi
M. Xhani