Mesazhi gjerman për Edi Ramën: Mos luaj me Gjykatën Kushtetuese
Kërcënimi i parimeve të demokracisë në vend dhe shkeljet e fundit ligjore të qeverisë “Rama” kanë sjellë një reagim të fortë të Bundestagut (parlamentit) gjerman. Kryekëshilltari i grupit parlamentar që qeverisë Gjermaninë, CDU-CSU, Hans Joachim Falenski, ka mbajtur dje qëndrimin më kritik që ka mbajtur çdo ndërkombëtar tjetër më parë ndaj sjelljeve të mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama. Ne ceremoninë e dekorimit nga Presidenti Ilir Meta me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, përfaqësuesi i grupimit më të madh politik në Gjermani, kë vënë theksin në rëndësinë që ka procesi i integrimit për Shqipërinë. Por duke analizuar zhvillimet e fundit në vend dhe qëndrimet e qeverisë “Rama”, Falenski nuk ka hezituar të kritikojë ashpër mazhorancën për cenim të parimeve demokratike.
Zyrtari i lartë gjerman ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se marrja e gjithë pushteteve në një dorë është e rrezikshme për demokracinë dhe nuk e çon vendin drejt Europës. Gjithashtu, për politikën gjermane miratimi i ligjeve kundër mediave është një hap pas që nuk mund të tolerohet. “Jemi të shqetësuar edhe për lirinë e mediave, e cila me miratimin e paketës së re po bën hapa prapa dhe duke krijuar një precedent shqetësues mbi përpjekjen për të neutralizuar zërat e medias. Bundestag-u po ndjek gjithashtu diskutimet për një paketë të re ligjesh që janë diskutuar gjerësisht këtu dhe disa dekrete të Presidentit që i konsiderojnë këto ligje si jokushtetuese. Një vend kandidat ka nevojë për një sistem demokratik me kontrolle dhe ekuilibra funksionues. Të gjitha pushtetet në një dorë të vetme, në shumicën e rasteve, janë të rrezikshme për demokracinë dhe nuk ju afrojnë aspak më pranë Evropës”,- deklaroi Hans Joachim Falenski.
Por kritika kryesore e përfaqësuesit të Gjermanisë dhe politikanit që njeh mirë zhvillimet në Shqipëri ka të bëjë me debatin për Gjykatën Kushtetuese. Duke kritikuar procedurën e kryer nga PS për emërimin e Arta Vorpsit duke i marrë kompetencat e Presidentit, Hans Joachim Falenski paralajmëron qartë Edi Ramën, teksa thotë se nuk është e rëndësishme që Kushtetuesja të mbushet me gjyqtarë, por duhet që të respektohet dhe ligji e Kushtetuta. Ai thotë se ngritja e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese janë pjesë e 9 kushteve të Bundestaut dhe nuk do të tolerohen. “Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre përkatëse duke siguruar një numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve të cilët e kanë kaluar vetingun. Çështja nuk është vetëm nëse plotësohet numri i mjaftueshëm. Shumë më e rëndësishme është nëse kjo është bërë në përputhje të plotë me papërjashtim çdo parashikimi të kushtetutës suaj dhe të mos jetë i njëanshëm. Dhe kjo përfshin jo vetëm procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun, por edhe procesin e marrjes së vendimeve ose – për shembull – ceremoninë për t’i bërë gjyqtarët të betohen mbi kushtetutën”,- deklaron zyrtari i lartë gjerman. Më qartë se kaq për përplasjen Presidencë-Kryeministri për Gjykatën Kushtetuese nuk ka folur asnjë ndërkombëtar. Pra, jo vetëm qeveria po gabon me procedurën e ndjekur kundër Presidentit, por i kujton se dhe ndryshimi i ligjit për betimin e gjyqtarëve që i heq kompetenca kreut të shtetit është i papranueshëm.
Përfaqësuesi i Gjermanisë i kujtuar dje Edi Ramës dhe institucioneve të reja të drejtësisë si SPAK dhe një tjetër kusht, atë të dënimit të vjedhjes së votave. “Vjedhja e votave s’tolerohet” dhe po presim dënimin e zyrtareve të përfshirë në dosjet 184 dhe 339 Durrës dhe Dibër janë mesazhe që shkojnë jo vetëm për Edi Ramën, por dhe për njerëzit që u zgjodhën në institucionet e reja të drejtësisë dhe po bëjnë ping pong me këto dosje.
Teksa Edi Rama thotë se ka mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe mburret se edhe për Gjykatën Kushtetuese dhe gjithë paligjshmëritë e tjera ka marrë miratimin e ambasadorëve, zyrtari i lartë i Bundestagut ka rrëzuar gjithë propagandën qeveritare. Marrja e kompetencave të Presidentit, shkeljet me Gjykatën Kushtetuese, kërcënimi mediave dhe mos hetimi i krimit zgjedhor nuk janë thjesht kritika, por akuza dërrmuese që tregojnë rrugën pa krye ku ka hyrë qeveria “Rama”. /Mili Xhani