Mos dilni nga shtëpitë! Coronavirusi pret te dera!

Që nga konfirimimi i rasti të parë më 9 mars dhe deri më sot, masat e marra nga qeveria kanë pezulluar gjithë aktivitetet në qytetet kryesore të vendit, Tiranë dhe Durrës. Dje në pjesën e masave pezulluese u shtuan dhe qytetet e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës. Praktikisht gjithë qytetet ku jeton numri më i madh i popullsisë kanë hyrë në fazën e karantimit. Rritja e numrit të të prekurve nga koronavirusi, 23 deri dje në mesditë, ka shtuar dhe shqetësimin e ekspertëve për një përkeqësim të situatës. Nga ora 06:00 e ditës së sotme dhe deri të dielën në orën 00:00, Policia e Shtetit nuk do të lejojë asnjë automjet privat që të qarkullojë në rrugët e Tiranës, Durrës dhe 6 qyteteve kryesore të tjera të vendit. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm mjetet e urgjencës, policisë, si dhe të mediave me autorizim të posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Masat e marra i ngjajnë një shtetrethimi dhe për zbatimin e tyre në rrugët e gjithë vendit kanë dalë gjithë forcat policore dhe një pjesë e mirë e trupave të ushtrisë. Qeveria ka marrë një sërë masash për biznesin dhe institucionet shtetërore. Ditën e sotme administrata është njoftuar të mos dalë në punë. Ndërkohë dje në mbrëmje kryeministri Edi Rama njoftoi mbylljen e bizneseve private si call centerat e fasonerisë deri ditën e hënë. Pjesë e masave shtrënguese është dhe mbyllja e gjithë aktiviteteve tregtare, me përjashtim të marketeve ushqimore dhe farmacisë. Ndërkohë pjesa më e madhe shërbimeve shtetërore janë pezulluar në një afat të pacaktuar për të shmangur radhët e gjata të qytetarëve dhe rrezikun ndaj punonjësve të administratës. Nga ana tjetër, të gjitha autoritet fetare kanë njoftuar besimtarët se aktivitetet rituale nuk do të kryhen gjatë kësaj jave, deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë dy ditë më parë, qeveria vendosi mbylljen e shërbimit të transportit urban në Tiranë dhe Durrës, si dhe mbylljen e të gjitha lokaleve e restoranteve në Tiranë-Durrës. Pavarësisht rezistencës së vogël të një pjesë të pronarëve, në pjesën më të madhe masat e marra janë zbatuar nga qytetarët. Dje në Tiranë dhe Durrës gjithë lokalet kishin mbyllur dyert. Ndërkohë problem mbetet ndërgjegjësimi i qytetarëve, që edhe pse në një situatë emergjente vazhdojnë të qarkullojnë lirisht rrugëve. Epidemia që ka përfshirë Shqipërinë ka vënë në kolaps shtete që janë superfuqi ekonomike dhe me burime të jashtëzakonshme për mjekësinë. Italia është shembulli sesi nënvleftësimi i rrezikut të këtij virusi mund të sjellë pasoja të paimagjinueshme.
Ndërgjegjësimi i qytetarëve është një detyrë e qeverisë dhe e medias si përfaqësues të opinionit publik. Por kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një strategji tjetër për të informuar qytetarët dhe skema e tij është të sulmojë mediat dhe të flasë vetë gjysmën e ditës në video live në Facebook. Është jo vetëm e gabuar, por edhe jashtëzakonisht e rrezikshme. Kryeministri u kujtua vetëm 20 ditë pasi në Itali shpërtheu epidemia që të merrte masa serioze. Ndërsa media e paralajmëroi rrezikuan që në muajin janar kur sinjalet e para erdhën nga Kina. Nëse qytetarët po u binden sot masave kjo është dhe meritë e medias dhe jo e kryeministrit. Sot qytetarët, ashtu siç ndodh në çdo vend tjetër që po kalon të njëjtën situatën, nuk kanë nevojë të dëgjojnë politikanët, por specialistët. Në Itali, Korenë e Jugut dhe vende të tjera, hapësirën medatike nuk e zënë politikanët, por mjekët, specialistët e shëndetësisë dhe drejtuesit e institucioneve të mbrojtjes civile. Kur një kryeministër gjysmën e ditën sulmon opozitën dhe gjysmën tjerët mediat, tregon se nuk ka hallin te epidemia që kërcënon popullsinë e vendit, por të beteja politike. Nuk mund t’i mohojmë një pjesë të masave që ka marrë qeveria, por duket qartë se u kujtuam shumë vonë për ta parandaluar ata. Tashmë që jemi në mes të betejës, siç thotë dhe vetë kryeministri, të vetmit që duhen dëgjuar janë specialistët dhe media nuk mund të bëjë asgjë tjetër veçse profesionin e saj për të informuar me saktësi dhe pa ndjellë panik atë që po ndodhë. Shfaqjet e politikës dhe qeverisë në këtë mënyrë siç po ndodh nuk po ndihmojnë shqiptarët për të kaluar këtë situatë dhe as profesionistët e mjekësisë që të punojnë pa tensione të panevojshme.
M. Xhani

SHKARKO APP