Nëse hap listat 100% Rama humbet qeverinë dhe partinë

Kryeministri Edi Rama nuk e ka dashur kurrë hapjen e listave. Në ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008, kur u vendos dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor, ishte kreu i PS-së që këmbënguli në uljen e rolit të kandidatëve në zgjedhje dhe përqendrimin e pushtetit në duart e kryetarit të partisë. Marrëveshja e vitit 2008 bëri që kandidatët të mos kenë asnjë vlerë fushatë dhe çdo gjë të lidhet me logon e subjektit politik dhe vullnetin e kryetarit. Kjo lëvizje i interesonte më shumë Edi Ramës në atë kohë sesa PD dhe Sali Berishës. Njeriu që mori PS-në pas vitit 2005 kishte një problem të madh me kritikët e tij në parti. Ish-ministrat e PS dhe politikanët me kontribute historike në elektorat merrnin më shumë vota sesa njerëzit e rinj të “Rilindjes” që Edi Rama po sillte me shumicë si ushtarë në selinë rozë. Votimi direkt në elektorat u jepte figurave me kontribut në PS pavarësinë për të mos ju bindur Ramës dhe të flisnin hapur kur gjërat nuk shkonin mirë në parti. Listat e mbyllura u mbyllën gojën kritikëve të tij dhe me këtë model Rama eliminoi kundërshtarët në parti, shfarosi politikisht Lëvizjen për Mendimin Ndryshe dhe futi në PS dhe qeverisje njerëzit më besnik të tij, pa asnjë kontribut apo cilësi politike. Reforma e vitit 2008 që e ktheu Shqipërinë në një çiflik të kryetarëve siç është sot, i detyrohet pikë së pari Edi Ramës. Ndaj kur Edi Rama flet për hapjen e listave të kandidatëve duhet të kujtojmë se ai është autori i eksperimentit më të dështuar politik me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Pasojat e këtij eksperimenti po i vuajmë dhe sot.

Dashuria e fundit për gjoja hapjen e listave nga PS nuk erdhi si një reflektim, por si një skemë e re manipulimi. PS-ja del e humbur në të gjitha parashikimet për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Mënyra e vetme që mund ta mbajë në lojë është çarja e koalicionit opozitar, PS-LSI me aleatët e tjerë dhe krijimi i partizave anonime që mund të prishin punë në disa qarqe duke ndarë votat. Për këtë duheshin bërë ndryshimet kushtetuese të muajit korrik. Por që të bindeshin njerëzit se po bëhej diçka e madhe për demokracinë, u fut si pykë në debat dhe ideja e hapjes së listave. Kjo pikë e debatit në mënyrë naive u mbështet dhe nga një pjesë e atyre që thonë se janë shoqëri civile dhe që brenda dy javëve krijuan parti politike. Sesa serioze ishte çështja e hapjes së listave mjafton të shohësh propozimin që ka dërguar PS në Këshillin Politik. Dokumenti është një fyerje për ekspertët e PS dhe një tallje me çdo qytetarë të këtij vendimi. Propozimi i PS nuk ka hapje listash, por kandidatë që renditen sipas një formule që i jep të drejtë kryetarit të vendosë për emrat që do jenë në pozicione fituese të zgjedhjeve. Sido që të votojë qytetarët dhe këdo kandidat të zgjedhin për t’i përfaqësuar, në fund është kryetari i partisë që ai që vendos së kush do të hyjë në Kuvend. Praktikisht ajo që Edi Rama e quan reformë është një projekt që nuk ndryshon asgjë në procesin e zgjedhjeve të deputetëve, madje e fuqizon edhe më shumë peshën e kryetarëve të partive.

Debati për detajet e Kodit Zgjedhor dhe formulat elektorale mund të jetë një çështje e lodhshme për qytetarët që janë sfilitur në një vend me mijëra probleme. E gjithë rrëmuja e PS ka një shpjegim. Edi Rama nuk do dhe nuk do të miratojë ndonjëherë listat të hapura 100 % për kandidatët. Hapja e listave do të ishte mbyllje e epokës së tij në politik dhe shkatërrim i gjithë investimit që ka bërë me modelin e Rilindjes në PS. Emrat që shoqërojnë atë në krah si njerëzit më besnik të partisë dhe qeverisë, në një përballje me lista të hapura mund të humbisni në mënyrë të turpshme. Ministrat, zv/ministrat, deputetët, drejtorët që sot janë gjasme krenaria e rilindjes, në zonat elektorale nuk i njeh askush dhe në sondazhe nuk llogariten fare si faktor politik. Të gjithë emrat me të cilët Rama ndan pushtetin dhe kanë rol kryesor në keqverisjen e vendit, nëse i vendos në listat të hapura nuk votohen as nga vet socialistët. Me listat e hapura votat e socialistëve mund të shkojnë për emra të tjerë të kësaj partie, të cilët Edi Rama nuk i ka nën kontroll me shantazhe dhe afera. Në këtë mënyrë, hapja e listave në PS do të prodhonte debate, sherre dhe mbi të gjitha humbjen e kontrollit të partisë nga Edi Rama. Kjo do të ishte fatale për atë personalisht dhe qeverisjen e Rilindjes, e cila mund të gjendej në minorancë brenda PS dhe pa asnjë mbrojte politike për korrupsionin dhe aferat që duhen ndëshkuar. Hapja e listave do të hapte sytë e socialistëve për të kuptuar se po drejtohen nga njerëz që nuk kanë asnjë pushtet real politik, por janë aty vetëm fal lidhjeve mes kupolës së rilindjes. Ndaj Edi Rama nuk do të pranojë kurrë hapje të listave 100 %, sepse ky hap do të ishte dhe fundi i qeverisjes së tij dhe mbyllje e kapitullit të Rilindjes në PS.

Koha Jonë

SHKARKO APP