Përsëri për lekët e Edi Ramës!
(Video editorial)
Prapë për lekët e Edi Ramës!
Shkruar nga Daniel Muçaku, kryeredaktor i KOHA JONE-
Kryeministri Rama ka gjetur Vitin e Ri për të gëzuar qindra mijë familje në Shqipëri me një pako të madhe financiare. Një lëvizje në dukje sociale dhe njerëzore, por që ka impakt politik dhe elektoral.
E kemi thënë se ka përballë një opozitë të përçarë dhe pa shtyllë kurrizore ndaj kryeministri gjen mënyrë dinake për ti kënaqur votuesit e të gjitha krahëve.
Po të shikosh me kujdes statuset e sotme, pa pushim në facebook nga kryeministri Rama, kupton se PS-ja e bëri fushatën e majit 2023.
Ja statusi i parë i Edi Ramës:
“8000 Lekë (të reja) për çdo person me aftësi të kufizuar, do të lehtësojnë maksimalisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit, ku falë edhe subvencionimit masiv të çmimit të energjisë që do të vazhdojë përgjatë vitit 2023, mburoja financiare e qeverisë për familjet shqiptare e bën shumë më të përballueshëm këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën”.
Ky është status i orës 12.30.
Një orë më pas Edi Rama poston të dytin: “8000Lekë (të reja) për çdo familje me ndihmë ekonomike, që impakti i inflacionit të luftës në muajt e mbetur të dimrit të zbutet maksimalisht mbi konsumin bazë të tyre dhe ky dimër i vështirë ekonomik për mbarë Europën, të kalojë sa më lehtë për këto familje”.
Një orë me pas të dytit kryeministri hap prapë thesin e qeverisë dhe shkruan:
“Edhe 20 000 Lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe për gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike – pas dyfishimit të ndihmës këtë vit, bonusit të Vitit të Ri si edhe pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore nga shteti duke nisur prej 1 janarit – për të lehtësuar plotësisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre bazë, në këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën”.
Pasi mbaron me statusin e tretë, kryeministri fut dorën prapë në thes. Këtë radhë për policinë e shtetit.
Ja se çfarë shkruan Edi rama:”
“10 000 Lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe, pas rritjes së pagave para disa muajsh me 15% për inspektorët e nënkomisarët dhe 7% për komisarët e Policisë së Shtetit, do ta zerojnë impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin familjar të punonjësve të policisë në këtë dimër të vështirë për të gjithë, duke dëshmuar po ashtu vëmendjen e pandarë të qeverisë jo vetëm ndaj shtresave më në nevojë, po edhe ndaj shërbëtorëve të shtetit e të popullit shqiptar”.
Tek statusi i pestë kryeministri e hap me shumë thesin e qeverisë:
“Rritja e pagave me 15% këtë vit për zjarrfikësit, bashkë me 20 000 Lekët (e reja) nga Pakoja e Madhe e këtij dimri të vështirë për mbarë Europën, do ta bëjnë praktikisht zero impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin e familjeve të tyre, ndërkohë që paga për ta do të vijojë të rritet më tej, si mbështetje e domosdoshme për një shërbim gjithnjë e më të kërkuar, në kushtet kur zjarret po bëhen një problem i madh për gjithë botën”- shkruan kryeministri.
Dhe më pas shefi i PS dhe qeverisë vazhdon me ushtarët bazë e nënoficerët. Prapë edhe 20 000 lekë të reja të Pakos së Madhe janë edhe një formë shpërblimi për efektivët e këmbësorisë- vazhdon Rama.
Dhe nuk dihet edhe sa statuse do të bëjë sonte, por e sigurtë mbetet se e ka hapur thesin e madh.
Pra 1 milionë persona shefi i qeverisë i bën për vete me këtë thes të madh të shqiptarëve.
Opozita nuk flet dhe as nuk reagon!
Me sa duket presin dhe ata një status nga kryeministri që t’ju jap ca lekë edhe atyre!
Ndaj zgjedhjet janë fituar nga PS akoma pa filluar fushata zyrtare.