Po shpopullohet Shqipëria!
-Numrin më të lartë të azilkërkuesve, pas Irakut, Afganistanit dhe Sirisë e ka vendi ynë. Raporti i fundit i institucionit të statistikave të BE, Eurostat, jep të dhëna alarmante për azilkërkuesit nga Shqipëria. Që nga nisja e vitit 2019 dhe deri në muajin mars të vitit 2020 më shumë se 30 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian, pa llogoritur këtu kërkesat në SHBA e Kanada. Ndërsa shifrat e emigracionit janë shumëfish më të larta dhe në 8 vite llogaritet se shqiptarët që janë larguar janë në 500 mijë vetë. Në masën 70 % e atyre që ikin janë të rinj nën 30 vjeç.
Raporti i fundit institucionit të statistikave të BE, Eurostat jep të dhëna alarmante për azilkërkuesit nga Shqipëria. Që nga nisja e vitit 2019 dhe deri në muajin mars të vitit 2020 më shumë se 30 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian. Kjo shifër e rendit Shqipërinë në listën e 4 vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve në gjithë botën. Praktikisht vendi ynë ndodhet në një listë pas Irakut, Afganistanit dhe Sirisë. Shifra prej që jep Eurostat realisht është shumë herë më e madhe. Në të dhënat e institucioneve të BE llogariten vetëm shqiptarët që kanë aplikuar në vendet që janë pjesë e unionit. Ndërkohë po kaq të larta janë dhe shifrat në vende se SHBA, Kanada dhe shtete të tjera të botës. Kërkesat për azil çuditërisht nuk janë ndalur as pas shkurtit të vitit 2020 kur gjithë bota u përshi nga pandemia e koronavirusit. Edhe pse me shifra më të ulëta, mijëra shqiptarë kanë aplikuar për të marrë statusin e azilantit në vendet e BE. Në grupin e azilkërkuesve hyjnë ata që kërkojnë strehim në një vend tjetër për shkaqe të rrezikimit të jetës, arsye ekonomike ose përndjekje politike nga shteti dhe qeveria. Fakti që 30 mijë veta duan të ikin nga vendi për këto arsye është një shifër që denoncon hapur falimentimin e shtetit tonë. Ndërsa shifrat e emigracionit janë shumëfish më të larta dhe në 8 vite llogaritet se Shqiptarët që janë larguar mund të jenë deri në 500 mijë.
Ajo që bie në sy në të dhënat e BE është fakti se Shqipëria renditet në zonën e vendeve që janë në konflikt dhe në luftë të hapur. Futja në një listë me Irakun, Afganistanin dhe Sirinë, vende që kanë dekada në konflikte të armatosur është shqetësuese dhe dëshmi e dështimit të institucioneve tona. Keqqeverisja, korrupsioni dhe mungesa e zhvillimit ekonomik kanë bërë që shqiptarët të ikin nga sytë këmbët njëlloj si të ishim një vend në luftë. Shqipëria nuk është në konflikt civil dhe as luftë me ndonjë shtet tjetër, megjithatë modeli i Rilindjes ka bërë që numri i atyre që largohen të jetë njëlloj si vendet me probleme serioze. Shumica e kërkesave për azil kanë të bëjnë me shkaqe ekonomike dhe arsye sigurie. Të dyja këto motive janë të mjaftueshme për të kuptuar se qeveria “Rama” ka dështuar në zhvillimin e rendit dhe në sigurimin e jetës së qytetarëve. Për sa kohë që buxheti përdoret për oligarkët dhe për të mbushur xhepat e zyrtarëve të korruptuar, në vend nuk do të ketë investime dhe të gjithë do të duan të ikin. Ndërkohë kanabizimi i vendit, lënia e territorit në dorë të bandave kriminale ka bërë që shumë shqiptarë të shohin si të vetmen mënyrë për të mbetur gjallë ikjen jashtë vendit. Në kërkesat për azil drejtuar në BE ka dhe një element që është shtuar vitet e fundit. Më parë azilkërkuesit deklaronin se gjykatat ishin të korruptuara dhe vendimet nuk ishin të pavarura, gjë që në shumë raste ishte e vërtetë. Ndërsa tani, në arsyet e azilit deklarohet se në Shqipëri nuk ka më gjykata dhe as vendime të institucioneve të drejtësisë. Dështimi i reformës në drejtësi është një tjetër arsye se përse shqiptarët largohen, pas keqqeverisjes dhe korrupsionit që u shkatërron të ardhmen.
Statistikat e Eurostat japin të dhëna dhe për moshën e atyre që ikin nga vendi. Në masën 70 % janë të rinj nën 30 vjeç. Largimi i të rinjve është një plagë shoqërore që tregon se keqqeverisja e Rilindjes nuk po shkatërron vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e vendit. Efekti i gati 8 vite qeverisje të Rilindjes ka qenë i njëjtë me atë të shpopullimit të vendit. 30 mijë azilantë në një vit dhe qindra mijëra emigrantë të tjerë që ikin nga vendi janë shumë edhe për një shtet që ka dhjetëra milionë banorë. Në Shqipërinë e mplakur me 2.8 milionë, kjo ikje masive është hemorragjia më e madhe e burimeve njerëzore.
Kjo që po bën qeverisja mbetet me shumë se kriminale, duke bërë që të ikin rinia, duke e kthyer Shqipërinë në një vend pa shpresë./Mili Xhani/