Presidenti Meta dënon dhunën ndaj gazetarit në Dibër: Të hetohet ngjarja
Presidenti Ilir Meta ka reaguar për dhunën e policisë ndaj gazetarit të “News 24”, Enver Doçi. Në një deklaratë për mediat, Presidenti u bënë thirrje autoriteteve që të zbardhin ngjarjen dhe të dënojnë autorët.
“Presidenti Meta apelon zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje të rëndë duke përsëritur thirrjen e tij për ndëshkimin e të gjithë autorëve të dhunës, shantazhit, kërcënimeve e presionit ndaj gazetarëve. Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”,- deklaron kreu i shtetit.
Reagimi i plotë i Presidentit Ilir Meta: “Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta dënon me forcë dhunën fizike të ushtruar nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj gazetarit të “News 24”, z.Enver Doçi, i cili ishte në krye të detyrës.
Presidenti Meta duke i uruar shërim të shpejtë, shpreh solidaritetin e plotë me z.Doçi dhe të gjithë gazetarët që me guxim, kurajo e profesionalizëm i shërbejnë interesit publik përmes fakteve dhe të vërtetave.
Presidenti Meta apelon zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje të rëndë duke përsëritur thirrjen e tij për ndëshkimin e të gjithë autorëve të dhunës, shantazhit, kërcënimeve e presionit ndaj gazetarëve.
Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”.
Gazetari i News24, Enver Doçi, ka rënë pre e dhunës nga forcat RENEA, gjatë procesit zgjedhor në Dibër. Në videon më poshtë mund të shihni momentin kur policia i vërsulet gazetarit Doçi, i cili ka qenë duke filmuar me telefon momentin e një arrestimi.
Siç mund ta shihni edhe në video, policët kanë harruar për një çast të arrestuarin, duke dhunuar në mënyrë të turpshme gazetarin e News24. Ky i fundit ka qenë shumë pranë makinës së forcave RENEA, në momentin që është sulmuar prej tyre.
Dëshmia Enver Doçit: Policia e dinte që po dhunonte një gazetar
Gazetari Enver Doçi, i cili u dhunua sot nga policia në Dibër deklaron se agjentët që e goditën e dinin që kishin para një gazetar.
Në një video dëshmi ai shprehet se policët i kanë shkulur dhe kartën që e identifikon si gazetar të “News 24”.
“E dinin që po sulmonin një gazetar. Më shkulen mjetin identifikues te gazetarit”,- shprehet Doçi.
Deklarata e gazetarit rrëzon dhe qëndrimin e Policisë së Shtetit, e cila me herët në një komunikim zyrtar u shpreh se ngjarje ishte aksidentale, pasi efektivët nuk e dinin që kishin përballë një gazetar.