Protestë e jashtëzakonshme, kryengritje popullore kundër Ramës, mafies dhe oligarkisë

-Basha tha mbrëmë se “me fundin e këtij regjimi kriminal, ne do t’i japim fund politikës së të fortëve. Fund të fortëve të rrugës! Fund të fortëve të politikës! Fund të fortëve të medias! Fund të fortëve të biznesit! Dua ta deklaroj para gjithë botës: Derisa të dalin para drejtësisë, ata që vodhën votat e shqiptarëve, bashkë me krimin, nuk do të ketë zgjidhje politike. Ne do të bëjmë çdo përpjekje. Do të përdorim çdo mjet për t’i nxjerrë ata para drejtësisë”.

Opozita ka arritur ta kthejë kauzën e saj në një lëvizje kombëtare. Pjesëmarrja në protestën e djeshme ishte prova më e mirë se kauzat e opozitës nuk janë vetëm të partive, por një lëvizje qytetare që ka përfshirë gjithë shoqërinë shqiptare, e cila kërkon ndryshim. Si rrallë herë, qytetarët i janë përgjigjur thirrjes së opozitës duke mbushur qendrën e Tiranës, në shenjë revolte ndaj qeverisë “Rama”. Masa e madhe e qytetarëve niste që nga sheshi “Skenderbej” dhe përfundonte në sheshin “Nënë Tereza”. Pjesëmarrja në këtë protestë është dhe më e rëndësishme se në gjithë tubimet e tjera.  Së pari, koha kur zhvillohet. Në muajin korrik dhe me temperatura reale që në Tiranë arrijnë deri në 42-45 gradë, ardhja e qytetarëve në një tubim të thirrur nga partitë tregon më shumë sesa bindje politike, por revoltë ndaj qeverisë. Dje në shesh ishin me mijëra e mijëra që sfiduan si në asnjë miting politik të mëparshëm temperaturat e larta. Së dyti, pjesëmarrja e djeshme është një përgjigje qytetare paqësore dhe e fortë ndaj qeverisë “Rama”. Pas 30 qershorit, Edi Rama tha se “opozita vdiq”. Pas zgjedhjeve fasadë, PS-ja është investuar në një fushatë mediatike dhe financiare për të përçarë opozitën me asgjësimin e saj real, pasi e nxori nga Parlamenti dhe pasi i vodhi bashkitë. Por dje shqiptarët, i dhanë një tjetër leksion qeverisë. Opozita është aty. Është në shesh dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet nga asnjë prej kushteve të saj për largimin e qeverisë “Rama”. 7 muaj protesta, dhunë policore, burgosje, vjedhje të pushtetit dhe tallje, tregoi se qytetarët nuk pranojnë të jetojnë në një demokraci fasadë dhe në një shtet një partiak, siç e ka bërë sot Shqipërinë Edi Rama. Ndaj pjesëmarrja në tubimin e djeshëm shkonte përtej simbolikës së zakonshme dhe kërkon nga kryeministri Edi Rama zgjidhje konkrete për situatën kritike në të cilën ndodhet vendi. Shqipëria nuk mund të jetë vend normal për sa kohë zgjedhjet bëhen pa opozitën dhe për sa kohë që qeveria ka hequr dorë nga çdo standard perëndimor.

Në protestën e djeshëm, po kaq të rëndësishme ishin dhe masazhet e kreut të PD-së, Lulzim Basha. Kreu i PD-së ju drejtua qytetarëve dhe ndërkombëtarëve se sa më parë që të rrëzohet Edi Rama aq më mirë do të jetë për Shqipërinë dhe integrimin e vendit. Basha theksoi se kjo krizë nuk zgjidhet me pazare dhe as me projekte që mund të sjellin një krizë tjetër disa vite më pas. Basha deklaroi se është koha për një ndryshim të sistemit politik, i cili i jep pushtet vetëm një njeriu të vetëm. Për herë të parë, kreu i PD-së foli në mënyrë të qartë dhe për ndeshkim të kryeministrit Edi Rama dhe njerëzve të biznesit e medias që kanë ndihmuar në krijimin e një regjimi.  “Përgatituni për ditën e gjykimit! Drejtësia ka vonuar, por drejtësia nuk do të mungojë!”- tha Basha, i çili nuk la jashtë vëmendjes edhe kriminelët. “Ne do t’ju shtypim pa mëshirë! Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërrimtare!”- u shpreh kreu i opozitës. Basha tha se “me fundin e këtij regjimi kriminal, ne do t’i japim fund politikës së të fortëve. Fund të fortëve të rrugës! Fund të fortëve të politikës! Fund të fortëve të medias! Fund të fortëve të biznesit! Dua ta deklaroj para gjithë botës: Derisa të dalin para drejtësisë, ata që vodhën votat e shqiptarëve, bashkë me krimin, nuk do të ketë zgjidhje politike. Ne do të bëjmë çdo përpjekje. Do të përdorim çdo mjet për t’i nxjerrë ata para drejtësisë”,- deklaroi Lulzim Basha.

Protesta tregoi se fundi i kësaj bande është afër. Duhet vetëm vendosmëri për të qëndruar deri në largimin e kryeministrit./Mili Xhani/

SHKARKO APP