Represion, depresion, recesion dhe AKSION!
Koronavirusi solli rritjen e autoritetit arrogant të kryeministrit Rama. Rasti e solli se duheshin masa drastike, deri diku represive, bile paksa diktatoriale. Dhe Rama nuk ia përtoi. I shumëdëshiruar për autoritet absolut, aqsa edhe me një bindje surreliane se është “babai” i Kombit shqiptar, kryeministri nxori ushtrinë me autoblinda nëpër Tiranë, bilëz ditët e para me mitraloz e me këmbëz gati në shkrepje. Mbyllja në shtëpi prej Edi Ramës, me dhunë, realisht solli një kujdes nga qytetarët ndaj koronavirusit.
Por ajo që zien në mendjen e kryeministrit është e rrezikshme. Tani ai po miraton në parlament ndryshime në Kodin Penal dhe atë Rrugor, ku burgu shkon deri në 14 vjet nëse një njeri del pa leje apo nuk mban maskën apo sipas gjuhës së Surrelit është një “tradhtar” dhe duhet dënuar. Por këtë herë dënimi nuk është administrativ, siç ndodh në vendet demokratike, por penal, me burg. Ndërkohë që njerëzit janë ndërgjegjsuar dhe po zbatojnë rregullat e dhëna nga mjekët si dhe kur vetë kryeministrit pohon se po e mundim koronavirusin, nuk ka asnjë sens logjik ndryshime të tilla në Kodin Penal. Aq me tepër që në situata të jashtëzakonshme, emergjence apo “lufte”, siç ka qejf Edi Rama ta thotë, nuk lejohet me Kushtetutë që të bëhen ndryshime të tilla në Kodin Penal.
Por kryeministri do t’i bëjë ndryshimet. Edhe me një djallëzi tjetër; me këtë rast frikëson edhe opozitarët, të cilët pasi të jetë drejt zerimit koronavirusi do të fillojnë protestat, sepse skamja do jetë e tmerrshme, ku do rritet numri i të papunëve, ku bizneset falimentojnë në seri, pra mirëqënia do jetë drejt një varfërie të padëgjuar. Me këtë ndryshim në Kodin Penal Edi Rama i tund çdo protestuesi të nesërm nenin me 14 vite burg!
Së dyti përveç represionit të kryeministrit e natyrisht të mazhorancës, duke shfrytëzuar edhe koronavirusin, njerëzia e mbyllur në shtëpi pa punë, pa siguri për të ardhmen ekonomike të familjes, por edhe kur të hapet brava e çdo shtëpie prej kryeministrit, e kanë marrë një dozë depresioni. Eshtë e natyrshme nga mbyllja brenda katër mureve, por kryesisht nga mungesa e jetësës e cila siç thamë do njoh varfëri të pashoqe. Depresioni ekononik do jetë, siç e tha edhe vetë shefja e FMN, zonja Kristalina Georgieva, pra kriza më e keqe se në vitet ’30 të shekullit të kaluar, kur siç dihet nga depresioni ekonomik Bota shkoi edhe në Luftën e Dytë Botërore.
Dhe ja ku po shkojmë në recesion!
SHBA, Gjermania, Italia, Britania, etj kanë lajmëruar tkurrje të zhvillimit ekonomik dhe rritje të papunësisë. Në SHBA arriti në 6.6 milionë të papunë vetëm gjatë këtyre javëve të koronavirusit. Edhe më keq duke se do shkojë ekonomia. Imagjinoni kur kjo do të ndodhë në shtetet më të zhvilluara të botës, se si do të përfundojë ekonomia shqiptare, e cila mbetet e mbytur nga korrupsioni dhe drejtimi oligarkik. Në BE dhe SHBA, Kanada e Australi shteti ka hapur krejt thesarin e shtetit duke ia dhënë biznesit dhe të punësuarve apo të papunëve që të jetojnë, ndërsa në Shqipëri me xhepat e shpuara të qeverisë si dhe me një propogandë me shumë se ndihma konkrete, situata do jetë katastrofike.
Të gjitha sa thamë do sjellin zemërim, protesta dhe varfëri te qytetarët. Si rregull kjo valë zemërimi sjelle protesta të forta ndaj qeverisë. Por Edi Rama duke e nuhatur mjeshtërisht se çdo ndodhë e çfarë do të mund t’i ndodh atij dhe qeverisë së tij, po bën ndryshime në Kodin Penal, burg deri në 14 vjet!
Burgu është i vështirë, ndaj e njeh mirë psikologjinë e popullit, ndaj po mbaron punë që tani me protestat nesër.
E megjithatë mbetet në dorën e opozitës nëse kur të plasi zemërimi nga hallet e varfëria dhe a do të vendosë të jetë në krye të popullit.
Kur nuk ka demokraci, kur varfëria zapton vendin e kur shpirti zien në vatra, lideri i çdo opozite duhet të mendojë se në një valë të tillë varfërie e mungese shprese se edhe mund të përplaset keq me pushtetin.
Nëse lidershipi opozitar i qëndron asaj që thotë se kemi qeveri të krimit dhe të korrupsionit, e cila vjedhë në ditët e kiametit të koronavirusit, atëhere gjithçka mund të ndodhë për LIRINË.
Lideri lufton për të ndryshuar vendin, por edhe mund të arrestohet përballë një pushteti të bandave, siç akuzon Lulzim Basha.
Ndaj AKSIONI po zien, krahas me luftën ndaj koronavirusit.
Alban Mati