Rilindja tronditet nga protesta e 2 MARSIT
Manifestimi mbarëkombëtar i thirrur nga Presidenti Ilir Meta me 2 mars ka shkaktuar panik dhe tronditje në radhët e rilindjes. Nervozizmi i kryeministrit Edi Rama dhe shpurës së mbështetësve të tij shfaqet çdo ditë në ekranet e mediave të kontrolluara nga qeveria. Çdo ditë ndonjë ministër i kabinetit “Rama” del në media për të sulmuar kreun e shtetit, por nuk jep asnjë shpjegim për akuzat publike dhe penale që Presidenti ka bërë në adresë të kësaj mazhoranca. Nervozizmi i Rilindjes shihet edhe në rrjetet sociale, ku punëtorë me pagesë të mazhorancës punojnë me orare të zgjatura për të sulmuar dhe minimizuar një nismë që tashmë ka marrë përmasa mbarëkombëtare. Reagimet publike pro presidentit nga qytetarët janë frika më e madhe që ka sot Rilindja. Qytetarët të ndryshëm, opozitar apo votues të PS-së deklarojnë me bindje se në dy mars do të jenë në shesh për mbrojtjen e Kushtetutës dhe ky është sinjali se ky manifestim është shumë më tepër se mitingu i radhës. Që nisma e kreut të shtetit ka gjetur mbështetje në gjithë shtesat e shoqërisë e tregonte mbrëmë një detaj interesant. Përfaqësues të biznesit të vogël, u vetëorganizuan dhe pa asnjë ndikim nga organizatorët e manifestimit, shpërndanin trakte në rrugët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit etj, ku shpjegonin arsyet e tyre se përse do të ishin në tubimin e 2 marsit, kundër qeverisë që po i masakron në taksa dhe korrupsion. Po ashtu studentët, minatorë, naftëtarët dhe gjithë kategoritë e tjera sociale që nuk mund t’i cilësosh as të PD, as të PS apo LSI kanë renditur arsyet e tyre se përse do të jenë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në manifestim.
Ndërkohë si rrallë herë, pjesë e tubimit do të jenë dhe shqiptarë të diasporës, të cilët kanë konfirmuar praninë në manifestimin e 2 marsit. Të gjithë këto zëra të shoqërisë shqiptarë që shpesh herë u janë kundërvënë të gjitha palëve politike, kanë gjetur te thirrja e Presidentit Ilir Meta për Kushtetutën dhe ruajtjen e demokracisë e shtetit ligjor, një kauzë që i bashkon të gjithë. Ndërkohë emrat e spikatur të jetës kulturore dhe sociale në vend, artistët, gazetarë, shkrimtarë, diplomatë dhe njerëz me një në karrierën e tyre nuk i detyrohen asnjë partie apo qeverie, kanë bërë këto ditë apele që janë shembull i përgjegjshmërisë qytetare dhe kombëtare. Artisti Edmond Budina, një figurë e rëndësishme e lëvizjes së dhjetorit ’90 deklaronte dje se do të ishte në krah të Presidentit më 2 mars për të vazhduar, siç tha ai, revolucioni që nisi 30 vite më parë kundër diktaturës komuniste. Po ashtu dhe intelektualë të tjerë, që e pranojnë se me Ilir Metën kanë kundërshti për çështje të ndryshme, këtë herë deklarojnë se do të jenë në shesh për kauzën që ka ngritur Presidenti i Republikës, mbrojtjen e institucioneve dhe shtetit. Ndërkohë pjesë e tubimit do të jenë në mënyrë masive dhe mbështetësit e partive politike të opozitës, të cilët në qëndrimet e drejta të kreut të shtetit për Kushtetutën, shohin dhe një pjesë të argumenteve të betejës opozitare.
Fryma që ekziston para dy 2 marsit dhe mbështetja popullore tregojnë se pjesëmarrja në manifestim do te jetë ndër më masivet. Për të sulmuar Presidentin dje Edi Rama detyroi ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Në vend që të shpjegonte pozitën e saj përballë padisë penale që i ka bërë kreu i shtetit, teksti i deklaratës së ministres ishte dhe një provë më shumë për hetimin e SPAK. Në emër të qeverisë ministrja pranoi se ka falsifikuar dokumentet dhe Fletoren Zyrtare për të emëruar kandidaten e Edi Ramës në Gjykatën Kushtetuese. Gafa të tilla tregojnë vetëm panikun e Rilindjes dhe vetëm sa shtojnë mllefin dhe revoltën e qytetarëve përballë një qeverie që ka mëkate pa fund. Veç reagime të mekura politike ndaj nismës së presidentit, Rilindja po përdor dhe strategjinë e diversionit, prodhimit të lajmeve të rreme dhe përhapjen e panikut në mënyrë kriminale. Qëndrime të tilla po serviren si shenjë force e Rilindjes. Në fakt është e kundërta. Janë shenjat se 2 marsi dhe ajo që vjen pas tij i tremb më shumë se çdo gjë tjetër.
Ndërkohë burime nga ministria e brendshme tregojnë se policia e shtetit do të angazhojë mbi 5 mijë forca policie në Bulevard dhe përreth kryeministrisë.
Mili Xhani