Shpetim Gjika ndez sherrin Prokurori-Drejtori e burgjeve
Arrestimi i kreut të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika dhe më pas lirimi i tij për arsye shëndetësore, pritet të pasohet nga të tjera arrestime. Prokuroria e Vlorës, e cila ka përgatitur dosjen me akuzat e reja ndaj kryebashkiakut dyshon se sëmundja e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës Shpetim Gjikës, transferimi në spitalin e burgut në Tiranë dhe më pas në një spital privat ishte një skemë për të mundësuar lirimin e kreut të Bashkisë së Vlorës. Burime nga organi i akuzës në Vlorë, konfirmuan dje për “Koha Jonë” nisjen e verifikimeve për procedurat e ndjekura nga mjekët dhe nga personeli i Drejtorisë së Burgjeve për rastin “Gjika”. Dyshimet e para të prokurorëve lidhen me mungesën e kartelës mjekësore, si një procedurë që ndiqet në raste të tilla për transferimin e personave që janë të arrestuar. Prokuroria e ka cilësuar si një skenar të parapërgatitur lirimin e Gjikës, pasi vendimi është marrë vetëm në bazë të epikrizës dhe jo analizave të përfshira në kartelën mjekësore. Epikriza është dokument paraprak që tregon vetëm gjendjen e një momenti të caktuar të pacientit, ndërsa kartela është materiali bazë ku pasqyrohen veprimet mjekësore dhe gjendja reale e pacientit. Këto detaje mjekësore kanë qenë të dhënat e para që kanë rritur dyshimet e prokurorëve që merren me hetimin e dosjes. Nga ana tjetër, përfaqësues të Prokurorisë së Vlorës thanë se gjatë kohës që Gjika është marrë në pyetje pas arrestimit nuk ka shfaqur asnjë problem shëndetësor. Dyshimet e para bien mbi mjekët që kanë kryer procedurat dhe kanë kërkuar transferimin e Gjikës nga ambientet e paraburgimit në Vlorë për në spital. Por bashkë me mjekët, pjesë e procedurave verifikuese të prokurorisë janë dhe dhe zyrtarë e Drejtorisë së Burgjeve që kanë dhënë miratimin për transportin e Gjikës nga Vlora në Tiranë dhe më pas në një spital privat. Tjetër shkelje në këtë rast cilësohet dhe mungesa e marrjes së lejes nga Prokuroria. Pas arrestimit të Gjikës, përfaqësuesit e organit të akuzës thonë se njoftimet për lëvizjet e Gjikës i kanë marrë nga media dhe jo në rrugë zyrtare.
Për të gjitha këto shkelje prokurorët kanë nisur hetimet pasi dyshojnë se kanë qenë pjesë e një plani për të bërë të mundur shmangien e qëndrimit në qeli për Shpëtim Gjikën. Nëse gjenden prova për dyshimet ka mundësi që arrestimet të fillojnë në spitalin e Vlorës e deri tek spitali privat në Tiranë për inskenim të sëmundjes. Nuk dihet se si do të reagojë kryetari i Bashkisë së Vlorës pas hetimit që po fillon Prokuroria për sëmundjen e tij.
Mesditën e djeshme, Prokuroria e Vlorës ka dërguar një kërkesë zyrtare në Drejtorinë e Burgjeve në Tiranë, ku ka kërkuar informacion zyrtar lidhur me procedurën e ndjekur nga ky institucion për transferimin e kryebashkiakut të Vlorës.
Akuzat e reja për Gjikën janë ngritur nga prokurori i sapoemëruar në Vlorë, Ramadan Troci, i cili u bë i njohur për publikun si prokurori që arrestoi Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Pavarësisht ndaj vendimeve të tij, që mund të kenë ardhur dhe nga segmente që u cënohen interesat, Troci është prokuror i cili deri tani rezulton se nuk pranon presione dhe mbetet korrekt me ligjin. Nuk është çudi që prokurori Troci të firmosë fletë-arreste për mjekët që kanë mashtruar, sipas dyshimeve të prokurorisë. Pas lajmit se prokuroria ka filluar hetimin e dosjeve mjekësore të Gjikës kanë filluar të dridhurat tek mjekët që janë marrë me këtë çështje. Thuhet se po rregullojnë letrat e dokumentet me urgjencë. Ndërkohë, Prokuroria po përgatit sekuestrimin e gjithë dosjes mjekësore në Vlorë dhe në Tiranë. Nisma e prokurorit Troci ka suportin e plotë ligjor të kryeprokurorit të Vlorës dhe të Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, zotit Llalla.
Përveç mjekëve, Prokuroria e Vlorës po heton edhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e cila në asnjë rast nuk ka marrë miratimin as me gojë e as me shkrim të prokurorit për lëvizjen e të arrestuarit Gjika. Sipas organit të akuzës, një procedurë e tillë është në kundërshtim të plotë me ligjin për lëvizjen e të paraburgosurve. Ka mundësi që prokurori Troci, natyrisht me miratimin e kryeprokurorit të Vlorës, të firmosë urdhër-arreste edhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në Tiranë. Po hetohet dhe për një marrëveshje të Drejtorisë së Burgjeve me Spitalin Amerikan për kurimin e personave të dënuar. Prokurorët thonë se është e paqartë baza ligjore dhe mënyra e operimit për institucionet e vuajtjes së dënimit dhe subjektet private në fushën e shëndetësisë. Ligji për të drejtat e të paraburgosurve saktëson se kurimi i personave të paraburgosur kryhet në spitalet e burgjeve, ose në institucionet shëndetësore shtetërore. Duke hetuar për rastin Gjika e mjekët që u morën me dosjen shendetsore të kryebashkiakut, po dalin dosje të reja hetimi , me sa duket edhe hetime për Spitalin Amerikan dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve se si ka mundësi që të burgosurit apo të paraburgosurit vizitohen apo kurohen në spital privat ndërkohë që ka një shtetror.
Priten lajme të reja nga Vlora. Uji po ikën nga tokat e Vlorës, por duket se Prokuroria e Vlorës mund të përmbys Tiranën e korruptuar. Ndërsa nga kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha, thuhet se do ketë surpriza të pakëndshme për politikën; hetimi i një ministri dhe ish-ministri ka vënë në drithma politikën e të dyja kampeve. Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Adriatik Llalla ka mbështetjen e plotë amerikane në luftën kundër korrupsionit e krimit, ndaj forca e organit të akuzës ka mbi 6 muaj që është bërë e blinduar për të vendosur ligjin e drejtësinë e munguar ndër vite. Organi i akuzës është në pararojë të luftës kundër korrupsionit, por duhet që edhe gjykatat të jenë në lartësinë e duhur ligjore.