Tragjedia e avionit: Goditje padashje me raketa në Teheran?
Nga DW/
Avioni ukranias, Boeing 737 që u rrëzua në Teheran mund të jetë qëlluar nga raketa iraniane. Kryeministri kanadez, Trudeau bëri të ditur, se ka të dhëna për një goditje jo të qëllimshme të avionit në Teheran.
Ishte një pyetje, që u shtrua menjëherë pas rrëzimit të avionit në Iran: A kishin të bënin sulmet iraniane ndaj bazave amerikane në Irak me rrëzimin e avionit atë ditë?
Dyshimet po shtohen: Qeveria kanadeze duket tani, se ka informacione, sipas të cilave, “avioni është goditur nga një raketë iraniane tokë-ajër”, ka bërë të ditur kryeministri kanadez, Justin Trudeau në një fjalim televiziv. Ai iu referua “informacioneve nga burime të ndryshme, edhe nga aleatët tanë dhe shërbimet tona informative.” Një goditje e tillë mund të jetë kryer gabimisht.
Në Britaninë e Madhe, kryeministri britanik, Boris Johnson për shkak të të dhënave për goditje të avionit, kërkoi një hetim transparent dhe të gjithanshëm. Ai kërkoi nga të gjitha palët të punojnë për çtensionimin e gjendjes.
Një avion i Lufthansës ndërkohë u kthye pas një orë fluturimi nga Frankfurti mbi Main me drejtim Teheranin. Këtë e bëri të ditur Lufthansa. Kthimi i LH600 ka të bëjë me “një vlerësim të ri të gjendjes së sigurisë për hapësirën ajrore rreth Teheranit.” Edhe fluturime të tjera të premten nga dhe për në Teheran janë anuluar nga shoqëria gjermane e fluturimeve. Koncerni po e verifikon gjendjen e sigurisë, thuhet.
Avioni ukrainas me 176 pasagjerë në bord ishte nisur të mërkurën në mëngjes nga Teherani në Kiev, dhe u rrëzua pak pas startimit, menjëherë pasi Irani kishte sulmuar dy baza amerikane në Irak, 63 kanadezë ishin në bordin e këtij avioni.
Drejtuesi i autoritetit iranian të fluturimeve, Ali Abedsadeh tha se do të lejohen ekspertë nga SHBA, Kanadaja, Franca për të marrë pjesë në hetimet e arsyes së rrëzimit të avionit. Kutitë e zeza të avionit do të hetohen në Iran. Nëse kjo nuk është e mundur për arsye teknike, janë të mundura edhe hetimet jashtë. Abedsadeh është shprehur, se do të shfrytëzohen të gjitha mundësitë teknike, për të zbardhur shkakun e rrëzimit të avionit. Për Abedsadeh është absurd pretendimi, se avioni është rrëzuar nga sistemet iraniane të raketave. Sipas tij, me gjasë amerikanët i kanë shpërndarë zëra të tillë, për të mos e prishur edhe më shumë imazhin e Boeing.
Disa media amerikane në raportime që përputhen, janë shprehur, se zyrtarë amerikane e konsiderojnë shumë të mundur goditjen e avionit. Si arsyetim për këtë, sipas CBS, merren të dhëna të shërbimeve sekrete që kanë marrë sinjale nga një radar i aktivizuar. Përveç kësaj, satelitët amerikanë kanë regjistruar startimin e dy raketave tokë-ajër pak para shpërthimit të avionit. Kurse televizioni CNN duke iu referuar disa përfaqësuesve nga autoritetet amerikane, thekson, se po krijohet gjithnjë e më shumë bindja për rrëzimin padashje të avionit. Kjo “teori” mbështetet nga disa analiza të satelitëve, radarëve dhe të dhënave elektronike, që mblidhen zakonisht nga ushtria dhe shërbimet sekrete amerikane.
Dyshimet për goditjen e avionit i ka ndezur më tej edhe presidenti Trump me deklarata jo të specifikuara. “Kam dyshimin tim”, tha ai në Shtëpinë e Bardhë. “Nuk dua ta them, sepse edhe të tjerë e kanë këtë dyshim. Kjo është një gjë tragjike”. Më tej Trump tha, se “dikush ka mundësi të ketë bërë një gabim.” Pyetjes, nësë avioni u godit gabimisht, Trump iu përgjigj. “Këtë nuk e di vërtet”.
Gjendja në Gjirin Persik u shkallëzua pasi SHBA vranë qëllimisht gjeneralin e njohur iranian, Khasem Soleimani javën e kaluar në Bagdad. Irani u u kundërpërgjigj natën e së mërkurës duke goditur me raketa dy baza ushtarake në Irak.