Ylli Manjani për Ambasadën e SHBA: Nëse Rama u gënjen ju, të paktën mos u tallni me shqiptarët
Ky shënim i ish-ministrit Manjani është shpërndarë nga Presidenti Meta në profilin e tij në facebook.
Nga Ylli Manjani
Shumë faleminderit ambasadës se USA për deklaratën mbi votimet një partiake.
Si gjithmonë edhe këtë herë, nuk ngurroi t’ja fuste kot!
Po kot fare!
Se si do ti gjykojë Gjykata Kushtetuese legjitimitetin e këtyre votimeve një dreq e di!
Nuk po them se kur do të mund të gjykonte se kjo dihet që s’ka për të ndodhur shpejt. Nuk e di a e di Ambasada që nuk ka ende gjykatë në këmbë dhe sikur nesër të fillojë puna për ringritjen e saj do të duhen të paktën 2 muaj, për të bërë një gjysëm gjykate.
Se gjykata e plotë nuk bëhet dot pa u ngritur më parë gjykata e Lartë.
Pastaj, një dreq e di sa muaj do të duhen për të shqyrtuar një padi eventuale, padi të cilën vetëm po e paraqiti prap Idajet Beqiri se s’ka kush tjetër. Opozita është përjashtuar me vendim kolegji nga këto zgjedhje.
Le pastaj që legjitimitetin e votimeve, ka kohë që nuk e shqyrton Gjykata Kushtetuese, që pas ndryshimeve të vitit 2003 në Kodin Zgjedhor.
Legjitimitetin e votimeve e gjykon Kolegji Zgjedhor, në terma shumë strikte ligjore dhe përsëri me ndonjë padi të zotit Idajet.
Të vetmen gjë që mund të gjykojë gjykata Kushtetuese, pas ngritjes së saj, qoftë dhe gjysmake janë dekretet e Presidentit. Gjykimi mbi këto dekrete do të fokusohet strikt në nevojën për ti dhënë një interpretim përfundimtar me efekt në të ardhmen dhe jo me efekte për këto votimet e partisë shtet.
Edhe këtë gjykim do të mund ta bënte nëse Edi Rama çon deri në fund marrëzinë e shkarkimit të Presidentit. Pra do jetë një gjykim indirekt.
Ndërkohë, deri sa të ndodhin këto gjëra Edi Rama ka konsumuar plotësisht rrëmbimin e pushtetit lokal pa vota.
Kështu që mesazhi i ambasadës nuk ka vlerë as deri nesër në mëngjes, jo më për kohë më të gjatë.
Nëse janë të gënjyer nga pushteti monist se do ju krijojë gjykatën, nuk mund të gënjehemi dot ne që jemi përfitues direkt prej asaj gjykate. Gjykatë e cila NUK DUHEJ MBYLLUR PËR ASNJË MINUTË!
Ndaj duke i falenderuar pa masë, i lutem që të paktën të mos tallen me ne!
Boll më!