Zgjedhjet vendore, dorëheqje dhe pazare

Afrimi i datës së zgjedhjeve ka rritur tensionin brenda kampeve politike kryesore. Gara për zgjedhjen e kandidatëve për 61 bashkitë në gjithë vendin duket se është më e ashpër brenda koalicionit qeverisës. Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta pritet të takohen këtë javë për të diskutuar për emrat që do të kandidojnë. Edhe pse kanë deklaruar se nuk do të ketë ndarje zonash, por kandidatë të përbashkët, vetë takimi do të jetë një përcaktim i bashkive që do të marrë secila palë. Takimi i kësaj jave duket se nuk është i vetmi. Burime nga dy partitë bëjnë të ditur se kreu i PS-së dhe LSI-së janë takuar larg vëmendjes së mediave disa herë për të diskutuar për kandidatët e mundshëm. Në mënyrë jo zyrtare, burimet bëjnë të ditur se janë përcaktuar pikat kryesore të marrëveshjes për bashkëpunimin PS-LSI për zgjedhjet vendore. LSI-ja ka kërkuar përfaqësimin me kandidatët e saj në rreth 20 nga 61 bashkitë, ndërsa pjesa tjetër i është lënë PS-së. Fieri, Berati, Lushnja, Lezha, Pogradeci, Bulqiza, Ksamili janë vetëm disa nga bashkitë që pritet të kandidojnë përfaqësues të LSI-së. Ndërkohë që Durrësi, Shkodra dhe Gjirokastra janë qytetet ku ende dy partitë kryesore të koalicionit nuk kanë vendosur. Aleatët e tjerë të koalicionit të Partisë Socialiste kanë ngelur jashtë nga kandidimi për postet kryesore. Kjo ka bërë që kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi dhe ai i PDS-së, Paskal Milo të kërcënojnë gjatë ditëve të fundit me daljen nga koalicion dhe garimin më vete. E vetmja mënyrë për t’i joshur partitë e “vogla” që të qëndrojnë sërish në koalicionin e majtë është kandidimi për këshillat bashkiak. Pas LSI-së, e vetmja parti në koalicionin e majtë që mund të këtë kandidatë kryesorë është Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Bashkia e Dropullit dhe ajo e Dropullit janë dy nga zonat minoritare ku PS dhe LSI mund të tolerojnë kandidimin e përfaqësuesve të kryetarit Vangjel Dule. Por duke parë tensionin dhe kritikat e fundit që Dule ka shprehur hapur ndaj qeverisë, fati i zonave zgjedhore të këtij subjekti do të vendoset në minutën e fundit. Kjo dhe për arsyen se koalicionit të majtë, me marrëveshje zyrtare ose të fshehtë, pritet t’i shtohet edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit. Pra çamë e grekë bashkë në një front! Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për kalimin e PDIU në mazhorancë, por mes aleatëve të tjerë të PS-së flitet se edhe në rast të qëndrimit të PDIU në opozitë, kandidatët e saj në 2-3 bashki mund të kenë mbështetjen e mazhorancës. Ruhen si kartë rezervë! Pazare të tilla nuk kanë munguar asnjë herë në zgjedhjet vendore dhe parlamentare në Shqipëri.

Ndarjes së zonave mes PS-së dhe LSI-së i ka paraprirë dje dhe dorëheqja e kreut të Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi. I zgjedhur në këtë post për tre mandate, që prej vitit 2003, Shkëmbi komunikoi largimin nga drejtimi i Bashkisë nga selia e PS-së në Tiranë, pa dhënë shumë arsye bindëse për motivet e dorëheqjes. Në fjalimin e largimit Shkëmbi dha vetëm një mesazh, që nuk ishte për votuesit e tij, por për kryetarët e tjerë të bashkive. “Jo vetëm s’kemi lindur për t’u plakur në karriget ku na kanë ulur të tjerët, por kemi detyrimin t’ia kthejmë familjes sonë politike investimin e bërë për ne, me gatishmërinë për të vazhduar t’i shërbejmë qoftë edhe si komisionerë të thjeshtë në zgjedhje”,- tha Shkëmbi. Dorëheqja e tij vjen në momentin që Pogradeci është përcaktuar si një nga bashkitë që do të drejtohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në këtë mënyrë, Shkëmbi ka hapur rrugën për të shmangur përplasjet e elektoratit në qytetin e Pogradecit. Edhe pse vendimi merret nga kreu i PS-së dhe LSI-së, gjatë zgjedhjeve të fundit Pogradeci ka qenë një nga qytetet ku përplasjet mes militantëve të LSI dhe PS, me djegie zyrash elektorale dhe incidente fizike kanë qenë të shpeshta. Shkëmbi dje ka dhënë mesazhin në elektorat nga selia e PS se çështja e kandidimit të PS-së në këtë qytetet është e mbyllur. U dorëhoq apo e detyruan të dorëhiqet, kjo është një çështje që duket se nuk ka shumë rëndësi për Shkëmbin, pasi ai pritet të marrë një post drejtues në administratën qendrore. Duhet pranuar se Artan Shkëmbi mbetet një prej kryetarëve më të mirë e më korrekt ndër kryetarët e bashkive. Ndonëse ai dje nuk foli për veten kur dha dorëheqjen. Ai u foli kolegëve kryetarë të bashkive të PS-së që aspirojnë përsëri të kandidojnë me 21 qershor. Pra doli nga selia rozë me lejen e Edi Ramës dhe përçoi me gojën e tij atë çka në mendje kryeministri. Kush e kupton, mirë, në të kundërt Rama do t’i palosë një e nga një ata që nuk mund të jenë përsëri kandidat të PS-së, pavarësisht se kujtojnë se mund të bëjnë presion duke dalë të pavarur. Edhe rasti i Shpëtim Gjikës nuk është asgjë më shumë se sa kryeneçësia e tij për të rikandiduar dhe mos dashja e Koço Kokëdhimës për të mos e patur më në krye të Bashkisë së Vlorës.

Dje Artan Shkëmbi foli për ato që kanë vesh të dëgjojnë! Kreu i Bashkisë së Pogradecit indirekt ka dhënë sinjalin dhe për kryetarët e tjerë të bashkive që kanë nga dy dhe tre mandate në detyrë, si Durrës, Berat, Fier, Vlorë etj që të ikin pa bërë naze ose ndryshe të shikojnë “kokën e prerë” të Shpëtim Gjikës.

Ndërsa në LSI punët janë më qetë; Ilir Meta vendos cilindo dhe nuk ka probleme siç po ndodh në PS. Por Ilir Meta ka një problem tjetër, të cilin edhe mund të mos e dijë; që në heshtje socialistët në disa bashki nuk do t’i votojnë kandidatët e tij, pasi ka pakënaqësi në bazën e PS. Thonë parimisht “po”, por informacionet janë të sakta se do të ketë probleme me kandidatët e LSI-së. Një shembull është Lezha, ku rrezikohet kandidati që ka akoma në mendje Ilir Meta. PD-ja hapur kundër, e PS-ja heshtur do rrezikojnë Lezhën, aq më tepër që kandidati i djathtë është një potencial politik që do të kandidojë kundër emrit të LSI-së. E jo vetëm në Lezhë!

SHKARKO APP