Lek i ri apo i vjetër? 54% e shqiptarëve ngatërrohen
54 për qind e shqiptarëve flasin me “lekë të vjetër”. Ishte ky rezultati i përftuar pas një ankete të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë. Me qëllim çrrënjosjen e këtij termi, nisi fushata nën sloganin, “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”.
Zanafilla e përdorimit të gabuar të terminologjisë vlerësohet se i ka rrënjët së paku një gjysmë shekulli më parë. Shqipëria është ndër vendet e vetme në botë që mbart një problematikë në përcaktimin e saktë të monedhës kombëtare, dhe ky fenomen është trashëguar ndër breza.
Përdorimi i gabuar “i vjetër apo i ri” për të identifikuar “Lekun” , sipas Bankës Qendrore shfaqet kryesisht te meshkujt, personat e moshuar, individët me nivel më të ulët arsimor, individët joaktivë në tregun e punës, si dhe ata me nivel të ulët të të ardhurave familjare.