Shqiptarët dhe të huajt vijojnë të investojnë në banesa, por tregu nuk është më i njëjtë

Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri vijon të zgjerohet, por ritmi i rritjes së çmimeve duket se po ngadalësohet. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025, çmimi mesatar i banesave u rrit me 11.7% krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës dhe me 28% në terma vjetorë. Kjo shënon një ngadalësim të ndjeshëm, pasi në gjashtëmujorin e parë rritja vjetore kishte arritur në 41.7%.

Ndryshimi është edhe më i dukshëm në Tiranë, ku çmimet nuk shënuan rritje krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës, ndërsa në bazë vjetore u rritën vetëm 4.4%. Në fillim të vitit, kjo rritje ishte 32.6%. Sipas Bankës së Shqipërisë, zonat bregdetare kanë dhënë kontributin kryesor në rritjen e çmimeve në rang vendi.

Edhe koha e nevojshme për shitjen e një banese është shkurtuar. Mesatarisht, një pronë shitet brenda 9.1 muajsh, nga 11.6 muaj më parë. Në Tiranë periudha ka zbritur në 8.1 muaj, ndërsa në zonat bregdetare është rritur lehtë, duke arritur në 9.9 muaj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kredia bankare vijon të luajë rol të rëndësishëm në treg, pasi rreth 61% e transaksioneve të shitjes janë realizuar përmes financimit bankar. Ndërkohë, blerësit e huaj përbënin rreth një të katërtën e banesave të shitura, ku gjysma ishin shtetas të Bashkimit Europian.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjatë vitit 2025 u regjistruan rreth 36 mijë kontrata shitblerjeje, 14% më shumë se një vit më parë. Paralelisht, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën një rekord prej 561 milionë eurosh, me një rritje prej 48%.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se rritja e çmimeve me ritmet e viteve të fundit mund të jetë drejt fundit, për shkak të shtimit të ofertës, zhvillimeve demografike dhe një kreditimi bankar më të kujdesshëm.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?