
Presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun amerikan, Donald Trump, ku në fokus të diskutimit ishin zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe situata në Ukrainë.
Sipas Yuri Ushakov, ndihmës i lartë për politikën e jashtme në Kremlin, Putin shprehu shqetësimin e tij lidhur me përshkallëzimin e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, duke dënuar veçanërisht sulmet ajrore izraelite ndaj objektivave iraniane. Të dy liderët diskutuan edhe mundësinë e rifillimit të bisedimeve ndërkombëtare për programin bërthamor të Iranit.
Gjatë bisedës, Putin ka konfirmuar gjithashtu gatishmërinë e Rusisë për të vazhduar negociatat me Ukrainën, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut për zgjidhjen e konflikteve.
Biseda mes dy presidentëve zgjati rreth 50 minuta dhe, sipas Ushakov, u vlerësua si konstruktive dhe e dobishme për të dyja palët.
