Kalo te përmbajtja
Koha Jone Logo
  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Politikë
  • Kosova
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Sporti
  • Shqip
  • English
Lexo në app
  • Shqip
  • English
  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Politikë
  • Kosova
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Sporti
  • Lajme
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Forum
  • WebTV
  • Editorial
  • Kosova
  • Rajoni
  • Bota
  • Sporti
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Kultura
  • Shëndeti
  • Teknologji
  • Intervista
  • Kronikë
  • Turizëm
  • Sociale
  • Historiku
Lajmet e fundit

Gazeta "KOHA JONË" themeluar si e pavarur më datë 11 Maj 1991
Botues: Nikoll LESI. Adresa e redaksisë: Rruga "Sami Frasheri", Pallatet e Aviacionit të Vjetër Nr. 2, TIRANA - ALBANIA

Site by

Opsionet e pamjes

Pamje shembull E premte, 23 Tetor 2026, 10:23 Vështrim nga Lindja: Arkitektura e së ardhmes mes materialeve inovative dhe teknologjisë së lartë Intervistë ekskluzive me arkitektin Oscar Di Domenico mbi misionin eksplorues në Kinë dhe sinergjitë e reja mes dizajnit italian dhe teknologjisë e materialeve kineze…
Pamja e bardhë/e zezë
Madhësia e tekstit
  • Në trend
  • Protesta para Kryeministrisë
  • Policia dhe plumbat
  • Sherri në Kuvend
  • Egnatia Conference League
  • Lana Nusseibeh
  • Monedha euro
  • Rama dhe ministrat
  • Ligji për Specialen
Lajmet e fundit
Në trend
  • Protesta para Kryeministrisë
  • Policia dhe plumbat
  • Sherri në Kuvend
  • Egnatia Conference League
  • Lana Nusseibeh
  • Monedha euro
  • Rama dhe ministrat
  • Ligji për Specialen
KOHA JONË Lajmet e fundit, gjithmonë me ju
Instalo

“Postmodernizmi”, një vepër e rrallë që ndriçon fort thelbin e letërsisë dhe poetikat e saj

Kultura E shtunë, 15 Gusht 2020 18:22
“Postmodernizmi”, një vepër e rrallë që ndriçon fort thelbin e letërsisë dhe poetikat e saj
Shto te burimet e preferuara

Shpërnda

Facebook WhatsApp Email X

Nga Mira Meksi – Të udhëtosh labirinteve të teorisë së letërsisë, labirinteve të studimit shkencor të letërsisë, që e trajton këtë të fundit si një fenomen kulturor, por jo vetëm, nuk është punë e lehtë. Aq më shumë për një krijuese letrare, në rastin tim, që shkrimësisë, letërsisë pra, i qaset më e shumta intuitivisht. Ose krejtësisht intuitivisht, dhe që në poçarinë e krijimit ka vetëm baltë shpirti dhe një barrë eksperience zëmre për të ndërtuar veprën. Porse ka raste kur një udhëtim i tillë bart aventuratë mrekullueshme… Është aventura e përballjes së alkimisë me shkencën, e përzierjeve okulte të elementeve, e realiteteve paralele, e spekulimeve metafizike, mistike, magjike me studimin e rreptë, të saktë, erudit, përcaktues… Dhe poçari i shkrimësisë gjendet ballë pasqyrës së teorisë së letërsisë, që herë i jep një imazh të shformuar si portretet e Bacon-it , ku ai gjithsesi e rinjeh veten, dhe herë një imazh aq të qashtër, sa i mbetet vetëm të mbyll sytë fort që mos verbohet… Ia vlen barra qeranë.
Një aventurë të tillë përjetova këto kohë me leximin e një vepre të jashtëzakonshme që ka dalë në qarkullim kohët e fundit, botim i Akademisë së Shkencave: Monografia shkencore “Postmodernizmi-poetikë e antirregullit”, vepra më e fundit e studiuese së shquar erudite të teorisë së letërsisë, Floresha Dados. Leximi i saj më shtyu të bëja disa hulumtime në lidhje me studime të këtij lloji te ne, për të pasur një tablo më të plotë në këtë drejtim.
Do të përpiqem të bëj një prezantim modest dhe sa më shpjegues të kësaj vepre të madhe, diturake, të shkruar mrekullisht bukur, për të qenë sërish një këmbanëz vlerë- treguese në kaosin e vlerave-antivlerave që mbizotëron tek ne. Një këmbanëz, e cila me tringëllimën e saj mëton të tërheqë vëmendjen leximore të profesionistëve të fushës, mësuesve të letërsisë, studentëve që janë të detyruar të “gëlltisin”vetëm punimet, më së shumti mediokre, të pedagogëve të tyre, kritikëve të letërsisë ( Medet sa të paktë dhe sa të pavaditur janë shumica!) apo mëtonjësve-kritikë letrarë, të shkrimtarëve, lexuesve…
“Postmodernizmi-poetikë e antirregullit” vjen për herë të parë në një rrokje të gjerë, sa teorike, aq dhe interpretuese të veprave të letërsisë shqipe, në lidhje me poetikën postmoderniste, një dukuri kjo e pa trajtuar në përmasa kaq të gjera në studimet letrare shqiptare.
Shfaqja e estetikës postmoderniste në letërsinë shqipe, sidomos pas viteve ’90, nuk perceptohet thjesht si një kureshti, shkërbim apo si një proces krijues në kushtet e lirisë së krijimit, por si shpërfaqje e një ndërgjegjeje dhe intuite të re krijuese , por edhe i një marrëdhënieje të ndryshme me lexuesin. Bindja e kësaj teoricieneje është e qartë që në krye të herës: nëse kjo estetikë do të mbetej në parapëlqimet e një krijuesi, do të bëhej fjalë për një dukuri individuale, por nëse ajo shfaqet si prirje në krijimtarinë e disa shkrimtarëve, atëhere bëhet fjalë për një risi në procesin letrar, e cila ka shkaqe të jashtme dhe të brendshme.
Thelbi metodologjik i qasjes shkencore të studiueses është se, interpretimi i postmodernizmit në romanin shqiptar nuk mund të kuptohet si një proces letrar i mëvetësishëm, pa shtratin filozofik dhe teoriko-letrar mbi të cilin zhvillohet. Andaj struktura e kësaj vepre ngrihet mbi dy boshte themelore: teorik dhe praktiko-letrar.
Duke kaluar nëpër këto dy plane, autorja ngre një varg pikëpyetjesh që i dalin nga përballja me disa trajtime të teoricienëve të huaj, që janë marrë posaçërisht me këtë dukuri, si edhe me vetë raportin e disa romaneve të pas viteve ‘90 me letërsinë në përgjithësi dhe veçanërisht me lexuesin. Studiuesja ka bindjen se letërsia ndjek destinin e vet, por detyra e kritikut letrar është të depërtojë në thelbin e lëvizjes letrare, për të kuptuar raportin midis importimit të saj skematik dhe të qenit produkt i natyrshëm i intuitës krijuese, si kusht për të interpretuar se ç’është kjo lloj letërsie dhe cila mund të jetë perspektiva e lëvrimit të saj. Andaj ndalja në mëdyshjet e kritikës mbi letërsinë postmoderniste është tepër e rëndësishme për autoren, sepse, sipas përcaktimit të saj, kritiku i romanit postmodernist hyn në një strukturë jashtëzakonisht delikate marrëdhëniesh ndërsubjektive, pozicione ligjërimore dhe tekstore që ndërlikojnë perceptimin artistik.

Reklamë Reklamo në Koha Jonë
Reklamë Reklamo në Koha Jonë

Mund t'ju interesojë

Dame Judi Dench: Gjendja e syve më ka lënë të paaftë të aktroj apo lexoj

Dame Judi Dench: Gjendja e syve më ka lënë të paaftë të aktroj apo lexoj

22 Tetor 2026, 07:23
Al Pacino, aktori legjendar, merr çmimin e karrierës nga SAG-AFTRA

Al Pacino, aktori legjendar, merr çmimin e karrierës nga SAG-AFTRA

16 Tetor 2026, 10:15
“Britannica”: Shqipëria ndër shekuj, nga e kaluara e trazuar te perspektiva evropiane

“Britannica”: Shqipëria ndër shekuj, nga e kaluara e trazuar te perspektiva evropiane

13 Tetor 2026, 10:25

Ndonëse në thelbin e vet kritika mbi tekstin postmodernist përpiqet të ndjekë qasjet që ekzistojnë ndërmjet tekstit dhe sistemit, midis tekstit dhe teorisë, ndonëse midis veprës dhe kritikës ekziston një ballafaqim i dy ndërgjegjeve, i dy ligjëratave, i dy metodave etj, ajo konfirmon parime të reja, që burojnë nga vetë thelbi i letërsisë që interpreton. Është tepër interesante pikëpamja e F.Dados, sipas së cilës, roli i kritikut dhe natyra e kritikës ndryshojnë dhe përshtaten, çka nxit trazirë opinionesh në mjedisin letrar dhe kulturor. Duke pohuar faktin se në kritikën postmoderniste kemi përpjekje për të braktisur mënyrën sistemike të analizës dhe për të vlerësuar qasjen “anti rregull”, autorja vë në dyshim pikëpamjen se mendimi i qëllimshëm i autorit nuk mund të dihet saktësisht. Kritika e thyerjes së rregullave sjell mëdyshjet : ç’lloj kritike kemi sot ? A ndodhet në krizë kritika letrare ? Sipas mendimit të autores së Monografisë analizat tona kritike për këtë lloj romani, kanë një lloj njëtrajtësimi, që buron nga vështrimi kryesisht sipërfaqësor i teknikave formale dhe fare pak merren me efektin që ushtrojnë ato te lexuesi. Këtë ajo e konsideron si “krizën” themelore të mënyrës se si lexohet romani ynë postmodernist dhe shkallës së mundësisë për t’u shpjeguar ai. Natyrshëm del mëdyshja tjetër: a është e mundur të shpjegojmë një roman postmodernist, i cili është i paparashikueshëm, me raporte të çuditshme të brendshme dhe të jashtme?
Çështja më interesante me të cilën merret studiuesja, mendojmë, është teza, e hedhur nga disa teoricienë të huaj mbi vdekjen e teorisë dhe kritikës postmoderniste. Kjo ndodh sepse, siç vëren Dado, në studimet letrare vetë teoria postmoderniste nuk është konsoliduar në mënyrë përfundimtare.
Studiuesja duke iu referuar shumë veprave të botuara në letërsinë shqipe përgjatë tri dekadave të fundit provokon disa sfida që i dikton kjo teori, por sidomos vetë krijimet letrare të autorëve tanë. Kështu, problemi i thyerjes së kufijve gjinorë në romanin e sotëm postmodernist krijon diskutim mbi atë që duhet të përcaktojmë se në ç’masë një vepër përfaqëson gjininë e romanit, apo të hetojmë se sa romani i sotëm postmodernist zgjeron strukturën formale të gjinisë, duke krijuar një identitet të ri ?
Në studimin “Postmodernizmi-poetikë e antirregullit’” referuar boshtit teorik, kapitujt kushtuar tipareve të modernizmit dhe postmodernizmit, përballjes me realizmin, parë në plan përqasës, nuk janë konceptuar si informacion i ri, por si shtrat që kanë krijuar mundësinë e analizave origjinale të veprave, mbas viteve ’90 (R.Qosja edhe më parë), ku tiparet e estetikës postmodertniste shfaqen në forma dhe përmasa të ndryshme. Është e jashtëzakonshme, e admirueshme puna dhe qëmtimi që i ka bërë studiuesja Dado prurjeve ndër vite në letrat shqipe . Ajo interpreton në mënyrë mbresëlënëse një numur shumë të gjerë romanesh ku qëmton dhe nxjerr në pah një sërë aspektesh postmoderniste të narracionit, të mënyrës si janë konceptuar personazhet, të raporteve kohore dhe hapsinore, të trajtave të paparashikueshme ligjërimore, të dukurive intertekstuale dhe të shumë teknikave postmoderniste që trajtohen për herë të parë në një rrokje kaq të gjera.
Tejet interesante shfaqen në këtë studim pikëpamjet e autores mbi prishjen e kufijve dhe specifikave gjinore në romanin shqiptar postmodernist. Apo diskutimi nese kjo formë e re narrative shënon shkuarjen drejt fundit të narracionit në prozë, apo bëhet fjalë për një zhvillim kalimtar, që do të shkojë drejt zbehjes ? Nëse futja e shumë citime, arsyetimeve teorike mbi letërsinë dhe shumë çeshtje të tjera, e cënon vlerën artistike të romanit postmodernist ? Çfarë lloj poetike kemi në këtë rast ? A krijon shqetësim mënyra se si konfigurohet personazhi në romanin postmodernist, etj.
Vlera e padiskutueshme origjinale e studimit të F.Dados qëndron në faktin se nuk ndalet thjesht në aspekte teorike dhe në interpretime konkrete te letërsisë së sotme, por shtron para lexuesit profesionist pikëpyetje dhe sfida për diskutim. Duke vëzhguar faktin se në letërsinë tonë poetika postmoderniste u shfaq më vonë se lulëzimi i natyrshëm i postmodernizmit në letrat botërore, autorja ka synuar të na japë tiparet specifike, të qëndrueshme apo të variueshme të poetikës postmoderniste tek autorët shqiptarë.
Përpos kësaj, në klimën e opinioneve të ndryshme te teoricienëve të huaj autorja guxon të pyesë: çfarë nuk shkon me postmodernizmin, në përgjithësi në letërsinë e sotme? A është zhvillim letrar që shpreh një filozofi të pranueshme ? A mund të quhet vlerë prirja e disa veprave të letërsisë së sotme drejt copëzimit, përkohësisë, paqartësisë, mohimit, mëdyshjes…?
Sfida e thekshme e studiueses janë vetë pyetjet që ajo ngre: a erdhi natyrshëm kjo praktikë letrare në romanin shqiptar të tri dekadave të fundit ? A ishte imitim trendesh poetike që Evropa i kish kaluar më parë, apo ndikime intuitive mbi kuptimin e realitetit dhe të letërsisë, në qasje të reja, në kontekste të reja ?
Ndonëse sfida më e mprehtë që ndërton F.Dado është çeshtja se për kë shkruan shkrimtari postmodernist dhe ç’lloj lexuesi parakupton? Sa e tërheq në të vërtetë ky roman lexuesin e sotëm ?
Studiuesja guxon të polemizojë me teoricienë të huaj lidhur me dilemën e madhe të shekullit XX dhe XXI mbi kuptimin e artit në përgjithësi, me pikëpamjen se “nuk ekziston një përkufizim i vetëm mbi artin”. Specialiste e teorisë së letërsisë ajo ka dhe shpreh një vizion të qartë lidhur me këto pikëpyetje dhe dilema.
Përsa i përket të ardhmes së postmodernizmit, autorja na njeh me faktin se teoricienët nuk kanë arritur ende të përcaktojnë nëse ky proces letrar ka përfunduar tanimë, apo se kur mund të përfundojë. Por, përsa i përket letërsisë shqipe, ajo shpreh bindjen se poetika postmoderniste nuk është në apogjeun e lulëzimit të vet; fakti që një pjesë e shkrimtarëve i janë rikthyer poetikës realiste, simboliste, realizmit magjik e më gjerë, tregon se kjo letërsi nuk i ka të përcaktuara njëherë e përgjithmonë tiparet e saj. Gjithsesi, me një formim të qartë teorik mbi thelbin e letërsisë F.Dado shpreh konceptin teorik se “letërsia është gjithnjë në lëvizje dhe kërkim të vazhdueshëm; jo thjesht si trill, por nën ndikimin që rrethana të caktuara të jetës së shoqërisë shkaktojnë përjetime, kundërshti, jo thjesht dhe vetëm në aspektet përmbajtjesore të saj, por edhe në sistemin e konfigurimit”.
Vepra e çmuar “Postmodernizmi-poetikë e antirregullit” ndonëse si monografi shkecore ka objekt një çeshtje themelore, postmodernizmin në romanin shiptar, ajo në të vërtetë zhvillon një sistem të tërë teorik, që ka të bëjë me thelbin e letërsisë dhe poetikat e saj. Po e ritheksoj atë që thashë në krye të herës: pikërisht për këtë specifikë kaq me vlerë, ajo i shërben formimit teorik të kritikëve, mësuesve të letërsisë, studentëve, shkrimtarëve…

Shto te burimet e preferuara

Shpërnda

Facebook WhatsApp Email X

Më të fundit

Vështrim nga Lindja: Arkitektura e së ardhmes mes materialeve inovative dhe teknologjisë së lartë
Para 2 minutash

Vështrim nga Lindja: Arkitektura e së ardhmes mes materialeve inovative dhe teknologjisë së lartë

Kërkoi dorëheqjen e drejtorëve, Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë në Vilën e Kuqe
Para 11 minutash

Kërkoi dorëheqjen e drejtorëve, Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit politikë në Vilën e Kuqe

Messi: Do të kem gjithmonë një dashuri të veçantë për Barcelonën
Para 20 minutash

Messi: Do të kem gjithmonë një dashuri të veçantë për Barcelonën

Propozim për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale në Shqipëri përmes reformave ligjore dhe kushtetuese
Para 28 minutash

Propozim për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale në Shqipëri përmes reformave ligjore dhe k...

Më të lexuarat

1 Deputetja e PS-së: Policia të mbajë përgjegjësi, skandaloze sesi janë përdorur plumbat e gomës
Para 12 orësh

Deputetja e PS-së: Policia të mbajë përgjegjësi, skandaloze sesi janë përdorur plumbat e gomës

2 Furtunë në administratë, zbulohet mesazhi i Ramës për ministrat
Para 15 orësh

Furtunë në administratë, zbulohet mesazhi i Ramës për ministrat

3 Gazetari Blendi Fevziu tallet me zv/ministren e Transporteve!
Para 16 orësh

Gazetari Blendi Fevziu tallet me zv/ministren e Transporteve!

4 Spartak Ngjela tregon veprimin që mund të krijojë pasoja të vështira për kryeministrin
Para 14 orësh

Spartak Ngjela tregon veprimin që mund të krijojë pasoja të vështira për kryeministrin

Koha Jone Logo

E përditshme, e pavarur

  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Sporti
  • Showbiz
  • Politikë
  • Forum
  • Kultura
  • Shëndeti
  • Editorial
  • Kronikë
  • Teknologji
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Sociale
  • Reklamo në Koha Jonë
  • Kontakt
  • Privacy Policy
Download on the App Store Get it on Google Play

Gazeta "KOHA JONË" themeluar si e pavarur më datë 11 Maj 1991
Botues: Nikoll LESI. Adresa e redaksisë: Rruga "Sami Frasheri", Pallatet e Aviacionit të Vjetër Nr. 2, TIRANA - ALBANIA

Site by
  • BOTUES & DREJTOR: Nikoll LESI
  • KRYEREDAKTOR: Daniel MUÇAKU
  • ZV/KRYEREDAKTOR: Redjon SHTYLLA
  • BORDI: Elsa KAMBERI, KRYETARE
  • NIPT: J71425013C

© 2026 KOHA JONE. All rights reserved.