Esat Pasha-redaktorit të një gazete në Trieste: I dorëzuam mbretit tonë Vilhelm pak tokë, ujë dhe rërë të marra në atdheun shqiptar
“L’Echo d’Alger” ka botuar, të shtunën e 7 marsit 1914, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me intervistën e Esat Pashë Toptanit me redaktorin e një gazete të Triestes, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Një redaktor i një gazete të Triestes intervistoi Esat Pashën. Ai bëri deklaratat e mëposhtme: “Në emër të popullit dhe të bejlerëve, ne i dorëzuam mbretit tonë Vilhelm, pak tokë, ujë dhe rërë, të marra në atdheun shqiptar. Tani ai është udhëheqësi ynë. Nuk duhet të ketë frikë se kombësia e tij do të ketë një ndikim gjermanik në vend. Politika e tij e vetme do të udhëhiqet nga ky mendim, të punojë për madhështinë e Shqipërisë, në marrëveshje perfekte me Evropën.”
Esat Pasha tha në vijim se princi i Shqipërisë do të jetë mbret, domethënë “Mbret” ose sulltan. Durrësi do të jetë kryeqyteti i tij i përkohshëm, ndërsa Tirana rezidenca e tij verore. Mbreti i ri e siguroi atë se qeveria e tij nuk do të jetë as autokraci dhe as regjim parlamentar. Shqipëria, në fakt, nuk dëshiron të bëjë gabimet e turqve të rinj. Qeveria do të përbëhet nga Ministra dhe një Senat, i zgjedhur gjysma prej popullit dhe gjysma tjetër e emëruar nga mbreti. Senati do të duhet të përgatisë statutin kushtetues. Sovrani do të ketë si këshilltarë dhe Senati si president, qytetarët më të mirë të mbretërisë.