Flasin ekspertët konstitucionalistë për votimin e parlamentit

Në Tiranë, ekspertët e legjislacionit shqiptar pohojnë se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë do të përballet me disa sfida jo të lehta profesionale, pasi të marrë në dorëzim vendimin e sotëm të parlamentit për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Sipas tyre, sfidat kanë të bëjnë me gjykimin mbi procedurat e ndjekura deri sot nga Kuvendi, me përmbajtjen e vendimit të sotëm dhe me vlerësimin nëse shkeljet e presidentit janë apo jo të asaj shkalle sa të justifikojnë shkarkimin e tij.

Mendimet e ekspertëve pas votimit të parlamentit për shkarkimin e presidentit
Studiuesja e çështjeve kushtetuese dhe profesorja e kësaj fushe në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Tiranës, dr.Aurela Anastasi, thotë se pavarësisht nga konsultimi me raste të tjera, Gjykatës Kushtetuese i mbetet detyra për të thënë fjalën e fundit nëse shkeljet e presidentit janë apo jo të asaj shkalle sa të justifikohet shkarkimi I tij.

Ajo theksoi se shembujt në botë me shkarkime presidentësh janë të pakët për të ofruar larmi praktikash dhe kjo është hera e parë që ndodh në Shqipëri, ndaj Gjykata Kushtetuese është duke themeluar një precedent, po themelon një shembull të parë.

“Gjykata Kushtetuese do të mbajë parasysh të gjitha vlerat kushtetuese me qëllim që ky precedent të shndërrohet në një precedent pozitiv, sepse kjo do t’I interesonte pastaj të mirës në drejtësi dhe të mirës së vendit. Dhe të mos lejjojë të shndërrohet në një precedent negativ, që mund të rrezikojë referimin në praktika të gabuara, që shkelin Kushtetutën etj” – tha zonja Anastasi.

Ndërsa Sokol Hazizaj, një tjetër ekspert i njohur i çështjeve kushtetuese thotë se debate ndodh para institucioneve te ceduara: para një Kuvendi që duhet të ishte shpërndarë një muaj para zgjedhjeve, ngritja e një komisioni të tillë hetimor është e ndaluar me ligj, ndërsa Gjykata Kushtetuese është ende e paplotësuar me anëtarë.

Në këto kushte, tha ai, nisma për shkarkimin e presidentit është politike, por jo ligjore e as kushtetuese. Një tjetër pikë kritike e kësaj çështje, thotë zoti Hazizaj, është edhe prishja e balancave mes pushteteve.

“Parlamenti është kreu i formatimit ligjor, dhe kur ai gabon me vendime, kjo prish edhe vendimet e gjykatave rrjedhëse në sistem, sepse për sa kohë arbitrariteti shfaqet në Kuvend, ky lloj arbitrariteti i pareferuar në Kushtetutë do të shfaqet edhe në gjykata edhe në administratë e kudo” – tha zoti Hazizaj.

Një sfidë kryesore për Gjykatën Kushtetuese është se si të dallojë shkeljet e Kushtetutës nga shkeljet e rënda të Kushtetutës. Gjykata mund të shfrytëzojë rastet e shteteve të tjera dhe Opinionin e parë të Komisionit të Venecias për një nismë të ngjashme, si dhe mund të kërkojë një Opinion të ri nga Venecia për rastin e fundit, nëse shkeljet e konstatuara janë vërtet aq të rënda sa të përbëjnë shkak kushtetues për shkarkimin e tij nga detyra.

“Mundet që çështja të kërkojë kohë për nga shqyrtimi dhe kjo kohë mund të rritet mjaft nëse Gjykata Kushtetuese shfrytëzon mundësinë që I njeh ky ligj për të kërkuar një opinion të ri nga Komisioni i Venecias. Nëse Gjykata Kushtetuese do të ndjekë afatet e zakonshme, kjo çështje do të zgjaste me muaj. Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendoste ndonjë afat të posaçëm, që është përcaktuar për gjykime të tjera të posaçme të parashikuara në ligjin organik të saj, atëherë kjo çështje mund të përfundonte edhe brenda 30 ditëve” – tha zonja Anastasi.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mund të quhet një gjykatë e re, sepse sapo është rinovuar në pjesën më të madhe të anëtarëve të vet, thotë zonja Anastasi.

Përbërja e paplotë e gjykatës me 7 anëtarë nga 9 që kërkon Kushtetuta mund të ndikojë në përballimin e sfidave të kësaj çështjeje. Po ashtu është e re edhe përvoja e këtyre gjyqtarëve në fushën e drejtësisë kushtetuese, pohojnë ekspertët.

Zonja Anastasi thotë se Gjykata Kushtetuese është funksionale me 7 anëtarë, por 2 gjyqtarë më pak do të thotë dy mendime më pak, dy vota më pak dhe kjo e shton peshën e përgjegjësisë së Gjykatës, sepse duhet të përballojë edhe këtë paplotëri.

Nga ana tjetër, zoti Hazizaj thotë se GJykata Kushtetuese është njëkohëssht edhe gjykatë e karakterit politik për nga mënyra e përmbajtjes së saj se si krijohet, dhe do të shqyrtohet vlera e këtyre vendimeve. Gjykata pritet të ndajë qartë Institucionet nga individët, që i drejtojnë ato, tha ai.

“Nëse do të nxjerrësh një vendim politik, nesër do të vijë një vendim që cënon të drejtën, që mund të cënojë edhe të drejtën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk është çështje e karakterit personal, por është çështje e karakterit të përgjithshëm. Gjykata Kushtetuese duhet të ndajë mirë fajin si qytetari Ilir Meta, apo fajin si konsumim i një vepre apo një veprimtarie si President i Republikës.

Ligji organik për Gjykatën Kushtetuese parashikon në disa nene gjykime të tilla të posaçme, por nuk parashikon afate maksimale kohore. Me shumicën e votave të anëtarëve të saj GJK vendos për ta kaluar çështjen e posaçme në seancë plenare, e cila duhet të jetë publike. Gjykata Kushtetuese do të diskutojë në fillim për juridiksionin e saj, për trajtimin e cështjes së shkarkimit të presidentit nga pikëpamja e procedurave, si dhe për trajtimin e cështjes nga pikëpamja thelbësore, materiale e verifikimit të gjithë çështjeve dhe shkaqeve kushtetuese, që ka ngritur vendimi i Kuvendit

SHKARKO APP